Ligji për kompensimin e pronave, qeveria shtyn afatin deri në 2028
Qeveria ndryshon afatet për të gjithë qytetarët që përfitojnë nga ligji për kompensimin e pronave.
Referuar projektligjit të miratuar nga qeveria, procesi i shqyrtimit të dosjeve, që janë aplikuar përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr 133/ 2015 “ Për trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave” dhe që janë në proces shqyrtimi pranë Agjencisë, shtyhet me 3 vjet dhe parashikohet të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 2027, ndërkohë që afati ka qenë data 31 Dhjetor 2024.
Po ashtu fundi 2027-ës është afati i ri, sipas draftit, ku ATP-ja, vlerëson vetëm financiarisht, të gjitha vendimet përfundimtare të pavlerësuara që kanë njohur të drejtën e kompensimi, duke u shtyrë kështu me tre vite.
Ndryshimet ligjore përcaktojnë se procesi i pagesës për të gjitha vendimet përfundimtare që kanë të njohur të drejtën e kompensimit do të përfundojë deri më 31 Dhjetor 2028.
Në draft citohet se buxheti i shtetit miraton çdo vit buxhetor një fond financiar, jo më pak se 50 miliardë lekë deri në vitin 2028 , i cili do të administrohet nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për realizimin e procesit të kompensimit të pronave.
Qeveria parashikon shtyrjen e afatit shqyrtimin e mbi 7 mijë dosjeve që janë ende pa vendim nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronave si kompensimin e mbi 25 mijë vendimeve të arkivuara prej vitesh në institucion.
Bashkë me zgjatjen e afatit për ekzekutimin e mbi 25 mijë vendimeve, Qeveria ka bërë edhe një rishpërndarje të fondit të paalokuar. Nuk është alokuar ende viti i 10, ndaj vlera që i takon këtij viti është rishikuar duke u shpërndarë në 4 vite, por pa shtuar koston për buxhetin e shtetit. Pra, fondi i kompensimit mbetet 50 miliardë lekë, por vetëm është rishikuar shpërndarja e vlerës së mbetur e pa alokuar. /Scan