Secondary Adv

Pritet ulje e kostove për rrjetin 5G, synohet nxitja e investimeve

MIE ka miratuar një udhëzim të ri që synon lehtësimin dhe përshpejtimin e zhvillimit të rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë dhe rrjeteve 5G. 

Ky udhëzim, i bazuar në një Toolbox të përbashkët të Bashkimit Evropian, synon të ulë kostot e vendosjes së rrjeteve dhe të nxisë një mjedis më miqësor për investimet.

 

Qëllimet e këtij udhëzimi janë ulja e kostove për ndërtimin e rrjeteve të shpejtësisë së lartë, lehtësimi i procedurave të dhënies së lejeve për ndërtimin e rrjeteve të reja dhe nxitja e investimeve në rrjetin 5G duke krijuar një mjedis më të favorshëm për zhvillim teknologjik.

 

Ministria do të bashkëpunojë me AKEP për të zhvilluar praktikat në përputhje me rekomandimet e BE-së. Deri në fund të vitit 2025, pritet të hartohet një Toolbox i përshtatur për nevojat e Shqipërisë, që do të ndihmojë në përshpejtimin e zhvillimit të infrastrukturës digjitale.

 

Për të garantuar transparencë, do të krijohet një pikë e vetme informacioni, ku operatorët do të mund të kenë akses në të dhënat e nevojshme për infrastrukturën ekzistuese. Kjo do të thjeshtojë procesin e aplikimit për leje dhe do të përmirësojë koordinimin ndërmjet institucioneve publike dhe operatorëve.

 

Në fund të nëntorit 2024 Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dha autorizimin për përdorimin e frekuencave në brezin 3,5 GHz nga Vodafone dhe One Albania, duke i hapur rrugën zbatimit të teknologjisë 5G në vendin tonë.

 

Sipas kushteve të autorizimit, dy operatorët janë të detyruar që përmes këtyre frekuencave, të mbulojnë me shërbim 55% të popullsisë deri në fund të vitit 2027 dhe 85% të popullsisë deri në fund të vitit 2030.

 

Brenda vitit 2025, sipërmarrësit duhet të sigurojnë mbulimin e porteve, aeroporteve dhe disa hapësirave të tjera me rëndësi social-ekonomike, ndërsa përparësi për sa i takon mbulimit do të kenë edhe zonat e rëndësisë së veçantë, ku përfshihen zonat turistike, parqet kombëtare, rrugët, autostradat e tunelet dhe zona të përfshira në projekte zhvillimore të ndryshme./Scantv


Më të lexuarat