Secondary Adv

Fasoni, rënie dhe falimente në 6-mujorin e parë, rikuperim në të dytin

Fabrikat shqiptare të prodhimit të veshjeve dhe të këpucëve do të ecin në terren të pasigurt edhe në vitin 2025 prej paqëndrueshmërisë së kursit të këmbimit dhe kërkesës në tregjet ndërkombëtare.


Tremujori i parë pritet të ketë falimente dhe shkurtim të vendeve të punës

 

Fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve nuk janë optimiste as për vitin 2025. Operatorët e tregut presin rikuperim të kërkesës në gjysmën e dytë të vitit 2025, por nga ana tjetër, Shqipëria po humb konkurrueshmërinë e çmimeve të prodhimit.

 

Rritja e pagave dhe ulja e vlerës së Euros në këmbim me Lekun i ka bërë prodhimet shqiptare më të shtrenjta dhe shumë kontraktorë, që më parë prodhonin në Shqipëri po zgjedhin rajone të tjera nga Azia dhe Afrika në kërkim të kostove të lira.

 

Edvin Prençe, i cili drejton Shoqatën e Fabrikave të Veshjeve dhe Këpucëve “Proeksport”, tha se 6-mujori i parë i 2025 do të jetë i vështirë. Shumë fabrika do të mbyllen dhe shumë punonjës do të dalin të papunë.

 

Fabrikat e tekstilit dhe veshjeve presin përmirësim të situatës në 6-mujorin e dytë, por edhe kjo do të jetë në varësi të kërkesës ndërkombëtare. Nëse shitjet në Eurozonë do të përmirësohen, atëherë do të rriten porositë edhe për fabrikat shqiptare, por ky përmirësim nuk është i sigurt.

 

Më 2024, tregu i modës në Europë priste rritje të shitjeve për shkak të stabilizimit të inflacionit, por ka ndodhur tërësisht e kundërta, pasi pothuajse të gjitha segmentet janë përballur me rënie.

 

Eva Laro, e cila zotëron fabrikën e këpucëve “Prodyn”, një nga më të mëdhatë në vend, tha se pret që porositë të rikuperohen në vitin 2025, por nuk do të ndodhë para muajit mars.

 

Znj. Laro, e cila ka segmentuar prodhimin në zinxhirin e lartë të vlerës, duke prodhuar këpucë për kompaninë e luksit “Prada”, tha se fabrikave shqiptare u është dashur të rrisin çmimet për kontraktorët dhe kjo dëmton në afatgjatë kërkesën për prodhim në Shqipëri.

 

Flori Zekja, i cili drejton një fabrikë të tekstilit nuk pret përmirësim së paku në muajt e parë. Ai shprehet se sektori do të përballet me rënie 20%.

 

Tkurrja e aktivitetit në prodhimet e tekstileve për eksport, sipas z. Zekja, do të vijë si rrjedhojë e disa faktorëve. Nuk ka siguri për ecurinë e kursit të këmbimit dhe për ecurinë e kërkesës nga jashtë.

 

Për vitin 2025, operatorët nuk presin të rrisin punësimin dhe as pagat, teksa lajmërojnë rënie të mëtejshme të eksporteve.

 

Fasonët pohojnë se sektori ka nevojë për likuiditet, për investime në automatizim dhe blerjen e lëndëve të para e shoqëruar me grante.

 

Njohja në bilancet e fundvitit të amortizimit të investimeve duhet të aplikohet nga 20% aktualisht në nivel 40%, në mënyrë që biznesi të ketë interes të investojë, tha z. Prençe.

 

Mbështetja në promovimin e bizneseve në panaire ndërkombëtare, si dhe krijimi i një strukture model Akademia e Modës, ku të bëhen trajnime, prototipa modelesh të reja dhe certifikimi i produkteve është i nevojshëm pohojnë prodhuesit.

 

Sipas tyre, pa këto ndërhyrje të rëndësishme e të domosdoshme do të vazhdojë kriza e sektorit.

 

Prodhimi i veshjeve dhe këpucës ra me 20% më 2024

 

Aktivitetet e fabrikave të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve pësuan rënie të fortë më 2024 në të gjithë treguesit e prodhimit, shitjes dhe pagave.

 

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë të vitit 2024 indeksi i punësimit në industrinë e fabrikave të tekstilit shënoi rënie me 20.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kurse indeksi i pagave në të njëjtën periudhë pësoi rënie me 21%

 

Në fabrikat e këpucëve, indeksi i punësimit pësoi rënie me 11.4%, ndërsa indeksi i pagave, me 10%. Shoqata Proeksport përllogariti se gjatë 2024 janë shkurtuar 10 mijë punonjës.

 

INSTAT e ka vonuar publikimin e treguesve të punësimit që nga tremujori i parë i vitit 2024, por indekse të tërthorta tregojnë se punësimi në fabrikat fason ka pësuar rënie me rreth 20% këtë vit.

 

Kjo rënie ishte lajmëruar edhe më parë nga shoqatat dhe përfaqësues të sektorit.

 

Në dy vitet e fundit, prodhuesit shqiptarë po kalojnë periudhën më të vështirë të dekadës së fundit, ku përzierja e shumë faktorëve me ndikim negativ e ka bërë të paqartë perspektivën.

 

Të dhënat e 11-mujorit 2024 tregojnë se eksportet e veshjeve dhe këpucëve shënuan rënie vjetore me 16.5% në vlerë. Rënia e industrisë së fasonit nisi në gjysmën e dytë të vitit 2023 dhe vijoi edhe gjatë 2023 dhe 2024.

 

Kursi i këmbimit dhe rritja e pagës minimale e bënë Shqipërinë jokonkurruese. Shumë kontrata u zhvendosën nga Shqipëria në vende më të lira.

 

Teksa çmimet e prodhimit në Shqipëri ndryshuan nga rritja e pagës minimale dhe rënia e Euros, në një kohë që tregjet europiane shfaqën rënie të kërkesës për veshje nga kriza e inflacionit, klientët historikë të Shqipërisë po zhvendosen në vende të tjera me kosto më të lira prodhimi.

 

Nga ana tjetër, harta globale e prodhimit të modës po ndryshon. Prodhuesit, veçanërisht nga qendrat tradicionale si India, po zgjerojnë operacionet e tyre në rajone të reja si Afrika, Lindja e Mesme, Turqia dhe Amerika Latine.

 

Këto lëvizje synojnë kapërcimin e kufizimeve gjeografike në kërkim të kostove më të ulëta të punës, akses në lëndët e para dhe afërsi me tregjet e konsumit në Europë dhe Amerikë.

 

Diversifikimi gjeografik është pjesërisht një përgjigje ndaj ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit gjatë pandemisë dhe tensioneve të vazhdueshme gjeopolitike.

 

Teksa makineritë po marrin gjithnjë e më shumë detyra të kryera tradicionalisht nga njerëzit, ata kërkojnë punonjës të kualifikuar për drejtimin e tyre./Monitor(https://monitor.al/fasoni-renie-dhe-falimente-ne-6-mujorin-e-pare-rikuperim-ne-te-dytin-2/)


Më të lexuarat