Secondary Adv

Mosdeklarimi i të ardhurave, nga gjoba tek bllokimi i llogarive, afat deri më 31 mars

Deri më 31 Mars individët me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë do të duhet të plotësojnë deklaratën individuale të të ardhurave, në të kundërt gjobiten.

Por, për çfarë shërben plotësimi i kësaj deklarate?

 

Në strategjinë afatmesme të të ardhurave 2024-2027, thuhet se një nga arsyet është hetimi i shmangieve në pagesën e kontributeve. Për këtë arsye tatimet do të kryejnë analiza nga deklarata e DIVA-as, pasi kjo masë është kusht edhe e Planit të Rritjes.

 

Bazuar në Planin e Veprimit të DIVA-s, janë identifikuar 6708 individë të mospërputhshmërisë për DIVA 2023 dhe për ta janë dhënë sanksione sipas ligjit për procedurat tatimore si: bllokimi i llogarive bankare. Për shkak të këtyre masave janë paguar rreth 15 milionë lekë.

 

Drejtoria e Përgjithshme  e Tatimeve do të ketë fokus të veçantë identifikimin e punonjësve jashtë listëpagesave të deklaruara në sistem. Administrata Tatimore do të identifikojë grupimet më të larta të punës së mundshme informale midis statistikave të fuqisë punëtore, që tregojnë aktivitetin e vërtetë ekonomik dhe numrin e punëtorëve.

 

Sipas dokumentit, përputhja sistematike e të dhënave me palët e treta, Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) është, gjithashtu, e nevojshme për të pasur efektivitet në identifikimin e tatimpaguesve të paregjistruar.

 

Grupimi i madh i të ardhurave të deklaruara në ose nën pagën minimale, gjithashtu, do të jetë pjesë e auditeve dhe do të hetohen duke përdorur teknika analitike.

 

Në këtë drejtim, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të përcaktojë dhe krijojë kontrolle në sistemin e deklarimit të listëpagesave që parandalojnë shmangien e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

 

Do të krijojë dhe përditësojë kriteret e riskut në Modulin e Riskut që kanë të bëjnë  me shmangien e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore. Do të merren informacione nga planet sektoriale mbi të dhënat dhe analizat e kryera. Si dhe do të organizohen kontrolle bazuar në përfundimet që rezultojnë nga kryqëzimi i të dhënave. /Scan


Më të lexuarat