
Rikualifikimi i zonës historike në Pogradec, KPP autorizon hapjen e tenderit 5.4 mln euro
KPP ka autorizuar FSHZH që të vijojë me procedurat e tjera të nevojshme sa i takon një tenderi mbi zonën historike në Pogradec.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit mori së fundmi autorizimin nga Komisioni i Prokurimit Publik që të vijojë me procedurat e tjera të nevojshme sa i takon një tenderi mbi zonën historike në Pogradec me një fond limit 541 milionë lekë apo 5.4 milionë euro.
Ky tender u ankimua më herët në këtë komision nga një prej operatorëve pjesëmarrës pas procedurës së vlerësimit të ofertave. Pas kësaj KPP kërkoi rivlerësim dhe korrigjim të procedurës diçka që u analizua së fundmi në vendimin e këtij autoriteti.
Pasi analizoi të gjithë hapat e hedhura nga FSHZH pas rekomandimit që Komisioni bëri, ky i fundit ka autorizuar Fondin të vijojë me procedurat e tjera të nevojshme për t’i hapur më pas rrugë lidhjes së kontratës që ka në objekt “Rikualifikimi i blloqeve urbane Rajoni 3, (Zona historike A-Pogradec) : Restaurimi dhe Rikualifikimi urban i Qendrës Historike dhe zonës së mbrojtur të qytetit të Pogradecit”.
Por çfarë parashikon në fakt projekti në fjalë në një prej qyteteve turistike në vend që ka si epiqendër të tij liqenin e Ohrit?
“Ndërhyrjet kryesore që parashikohen në projekt kanë si qëllim kryesor rehabilitimin e gjithanshëm të zonës, duke risjellë në vëmendje elementët e arkitekturës tradicionale.
Rivlerësimi i hapësirave të shesheve për të cilat ka nevojë për ndërhyrje radikale për të rivitalizuar sheshet dhe të gjithë ansamblin” thuhet në relacionin teknik të projektit. I njëjti propozon që të bëhet një rishikim i kufijve të Qendrës Historike dhe zonës së mbrojtur të qytetit të Pogradecit, për të përfshirë brenda saj dhe rrugën lidhëse midis rrugës “Naim Frashëri” dhe “Çeta e Mokrrës”, të përcaktuar përkatësisht si zona A dhe zona B në hartimin e këtij projekti.
Ndërhyrjet kryesore e domosdoshme sipas relacionit teknik:
Qëllimi kryesor i këtyre ndërhyrjeve do të jetë krijimin e hapësirave atraktive për komunitetin, përparësia e marrëdhënie së njerëzve në raport me hapësirën si dhe shfrytëzimi dhe evidentimi i vlerave të të gjithë kësaj hapësire.
Për këtë arsye do te kemi këto ndërhyrje:
− Mbyllja e lëvizjes së makinave nga hyrja e rrugës (aktualisht zona përreth kafe “Toplecit” deri të sheshi në hyrje të “Vëllazërisë Içka”;
− Krijimi i shesheve rekreative dhe me anë të ndriçimit, sinjalistikës së nevojshme evidentimi i vlerave të kësaj zone si pikë e shtuar atraksioni;
− Ndërhyrje restauruese me qëllim unifikim të gjuhës arkitektonike të objekteve përgjatë të gjithë projektit, në mënyrë të tillë që të jetë një unifikim i njëtrajtshëm në të cilën do të dallohen vetëm objektet pasuri kulturore dhe jo shtesat, apo Ndërhyrjet kryesore abuzive të realizuar përgjatë këtij segmenti.
− Ndriçimi i shesheve dhe mobilimi urban për të evidentuar me spote objekte të caktuara;
− Trajtimi në elementë dekori si dhe trajtimi i terrenit këtë shesh do të të jenë të tilla që të reflektojnë elementë që simbolizojnë traditën, kulturën dhe natyrën e qytetit: Shtrimi i terrenit do të bëhet me pllaka guri me dimensione 50×70 cm;
− Krijimi itinerareve si: Itinerari i shkrimtarëve, itinerari i burimeve, “urban pocket”(xhepa urbane), etj.
/Monitor (https://monitor.al/rikualifikimi-5-4-mln-euro-i-zones-historike-pogradec-kpp-ok-fshzh-se-te-vijoje-me-tenderin/)
Më të lexuarat








