Kredia konsumatore, Pr.ligji: Të rishikohet vlerësimi i aftësisë paguese të qytetarëve
Ligji parashikohet të zbatohet nga të gjithë ofruesit e kredie, përfshirë bankat, shoqëritë e huasë dhe çdo institucion financiar që ofron kredi për individë për qëllime personale.
Deputetja Jorida Tabaku ka propozuar në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj të posaçëm për të rregulluar kredinë konsumatore. Deri tani, ky produkt është i rregulluar me disa parashikime të përgjithshme në ligjin “Për mbrojtjen e konsumatorëve” dhe kryesisht në aktet nënligjore rregullatore të miratuara nga Banka e Shqipërisë.
Sipas projektligjit “Për Marrëveshjet e Kredisë Konsumatore”, ndalohet çdo lloj forme marketingu e kredisë konsumatore, që inkurajon konsumatorët të aplikojë për kredi konsumatore duke sugjeruar se kredia do të përmirësonte gjendjen financiare të tyre konsumatorët; specifikon se marrëveshjet e papaguara të kredisë ose kredia e regjistruar në bazat e të dhënave kanë pak ose aspak ndikim në vlerësimi i një aplikacioni për kredi; sugjeron gabimisht se kredia çon në një rritje të burimeve financiare, përbën një zëvendësim për kursimet ose mund të rrisë një standardet e jetesës së konsumatorit.
Ofruesit e kredive duhet të përfshijnë një tabelë përmbledhëse të kostove dhe detyrimeve të pagesës, që përfshin të gjitha kostot për konsumatorin, përfshirë shumat e detyrimit kryesor dhe interesin sipas kushteve aktuale të kredisë. Tabela duhet të paraqesë gjithashtu informacionin e nevojshëm mbi çdo tarifë shtesë që mund të aplikohet për shërbimet anësore të kredisë, si sigurime të detyrueshme apo shërbime të tjera të lidhura.
Projektligji parashikon se ofruesit e kredive, përpara lidhjes së një marrëveshje kredie, janë të detyruar të vlerësojnë aftësinë paguese dhe gjendjen financiare të konsumatorit, të përllogaritura në bazë të të dhënave të sakta, të mjaftueshme dhe të përditësuara për të ardhurat, shpenzimet dhe angazhimet financiare të konsumatorit. Ky vlerësim do të përfshijë analizën e qëndrueshmërisë së të ardhurave, historikun e pagesave, dhe mundësitë e ndryshimit të këtyre të ardhurave, duke marrë parasysh faktorë të tillë si luhatjet e mundshme të normës së interesit dhe kursit të këmbimit.
Ofruesit e kredive do të sigurojnë që, përpara çdo vendimi për dhënien e kredisë, konsumatori të informohet plotësisht për procesin e vlerësimit të aftësisë kreditore dhe për përdorimin e të dhënave personale të tij, sipas legjislacionit në fuqi.
Kur përdoren të dhënat personale për vlerësimin e aftësisë kreditore përmes përpunimit të automatizuar, konsumatori ka të drejtën të kërkojë një ndërhyrje njerëzore dhe të marrë një shpjegim të qartë mbi procesin dhe ndikimin e këtij vlerësimi në vendimin për dhënien e kredisë.
Sipas projektligjit, konsumatori ka të drejtën të kryejë shlyerje të pjesshme ose të plotë të detyrimeve të tij që lindin nga marrëveshja e kredisë, në çdo kohë, para afatit të maturimit. Në këtë rast, ofruesit e kredive janë të detyruar të bëjë reduktimin e kostos totale të kredisë.
Ky reduktim përfshin uljen e shumës së interesit dhe shpenzimeve të tjera të aplikueshme për shumën e vlerës totale të kredisë së shlyer para afatit të maturimit, sipas kushteve të përcaktuara në marrëveshjen e kredisë për raste të tilla.
Megjithatë, ofruesit e kredisë kanë të drejtën të kërkojë një kompensim të drejtë dhe objektiv vetëm në rastet kur shlyerja e kredisë para afatit i përkon një periudhe për të cilën norma e interesit është fikse.
Nëse periudha midis shlyerjes para afatit dhe maturimit të kredisë është më e gjatë se një vit, kompensimi nuk mund të tejkalojë 1% të shumës së kredisë së paguar para afatit. Në rast se periudha nuk kalon një vit, kompensimi nuk mund të tejkalojë 0.5% të shumës së kredisë së paguar para afatit.
Projektligji propozon që shkeljet nga ofruesit e kredive konsumatore, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë deri në 300 mijë lekë.
Një pjesë e mirë e çështje që projektligji i propozuar nga zj.Tabaku në fakt janë të parashikuara në rregulloret në fuqi të Bankës së Shqipërisë ose në projektrregullore që ndodhen në fazë konsultimit dhe pritet miratohen së shpejti.
/Monitor (https://monitor.al/deputetja-jorida-tabaku-propozon-ligj-te-posacem-per-kredine-konsumatore/)