Secondary Adv

Yield-i bonove 12-mujore rritet lehtë për të dytin ankand radhazi

Yield-i i bonove 12-mujore u rrit lehtë për të dytin ankand radhazi. 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në ankandin e parë të vitit 2025, të zhvilluar ditën e martë, yield-i mesatar i ponderuar rezultoi 2.78%, nga 2.76% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

 

Nga 12 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, kërkesa totale në ankand rezultoi lehtësisht më e lartë, me 12.8 miliardë lekë.

 

Ashtu siç kishte ndodhur në ankandin e fundit të vitit 2024, kërkesa në rënie nga investitorët ka sjellë një rritje mjaft të vogël të yield-it mesatar.

 

Megjithatë, rritja e yield-eve duket se ka natyrë korrektuese, në kushtet kur yield-i këtyre instrumenteve në dhjetor të vitit të kaluar zbriti poshtë normës bazë të interesit.

 

Marzhi i yield-eve mbi normën bazë të interesit (aktualisht në nivelin 2.75%) ngelet ende pranë niveleve më të ulëta të të gjitha kohërave.

 

Ekspertët mendojnë se një korrektim i mëtejshëm në rritje i yield-eve është i mundshëm gjatë tremujorit të parë, duke patur parasysh edhe faktin që kjo periudhë do të ketë përqendrimin më të lartë të huamarrjes së planifikuar nga qeveria shqiptare në tregun e brendshëm financiar.

 

Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar për tremujorin I 2025 do të ketë vlerën e 132.5 miliardë lekëve. Kjo shumë përbën afërsisht 37% të vlerës së planifikuar vjetore të emetimeve në tregun e brendshëm, duke përfshirë këtu edhe rifinancimin e instrumenteve të maturuara. Megjithatë, vlera e huamarrjes parashikohet në rënie me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Përtej një korrektimi të mundshëm në rritje në pjesën e parë të vitit, sidoqoftë presionet për rritjen e yield-eve në afat më të gjatë duken të dobëta. Inflacioni e mbylli vitin 2024 në nivelin 2.1%, duke qëndruar ndjeshëm poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

 

Tendenca e borxhit publik është në rënie, mbështetur sidomos nga efekti i forcimit të lekut në kursin e këmbimit, por edhe nga një politikë fiskale më konservatore, me deficite buxhetore më të ulëta. Ulja e borxhit ka sjellë madje edhe përmirësimin e vlerësimit të borxhit Sovran të vendit ka agjencitë e specializuara.

 

Yield-et e borxhit të qeverisë janë gjithashtu një hallkë e rëndësishme në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare. Ato shërbejnë si instrument referues (benchmark) edhe për normat e interesit të kredisë për sektorin privat. 

 

Normat e ulëta të interesit kanë nxitur një rritje të shpejtë të kredisë gjatë vitit të kaluar. Në fund të nëntorit 2024, rritja vjetore e portofolit të kredisë arriti në 14.2%, më e larta që prej vitit 2009./ Monitor (https://monitor.al/yield-i-bonove-12-mujore-rritet-lehte-per-te-dytin-ankand-radhazi/)


Më të lexuarat