Secondary Adv

Kontratat 1 euro, tri penalitete per shkelesit

Investitorët që kanë marrë tokë me 1 euro për të kryer një investim, do të përballen me penalitete në rast se nuk respektojnë kontratën. Për çdo vend pune të pahapur sipas kushteve të kontratës, subjekti do të marrë 50 mijë lekë gjobë.

 

Ndërkohë që, në rast se nuk realizon investimet e parashikuara, do të gjobitet me 10% të vlerës së investimit të pakryer. Ndërkohë, në rast se investitori nuk fillon projektin dhe nuk investon sipas kontratës, ajo prishet brenda gjashtë muajve.Këto janë ndryshimet kryesore në vendimin nr. 54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar. Ndërsa, në lidhje me shtesat në kontratë për sipërfaqet që kërkohen nga qiramarrësi për të shtuar ose për të përmirësuar veprimtarinë, për sipërfaqe jo më shumë se 50% të sipërfaqes totale të marrë me qira dhe vetëm në rastet kur sipërfaqja shtesë shtrihet në kufi me sipërfaqen e kontratës brenda së njëjtës zonë kadastrale. Ndërkohë që, për sipërfaqet (truall) funksionale ose të lira që jepen me qira ose enfiteozë për ndërtimin e terminaleve të mjeteve të transportit, tarifa-dysheme e qirasë mujore është 20 lekë/m2″.


Ndryshime
Sipas ndryshimeve të fundit ligjore, me kërkesë të qiramarrësit, për raste të justifikueshme, qiradhënësi mund të rishikojë treguesit dhe afatet e planit të biznesit gjatë zbatimit të kontratës dhe të bëjë ndryshimin e tyre në marrëveshje mes palëve, duke mos ndryshuar kushtet thelbësore/të veçanta, të paraqitura në konkurrim, dhe kur pjesëmarrës në konkurrim ka qenë vetëm një ofertues. Në këto raste, marrëveshja shoqërohet me ndryshimet përkatëse në planin e biznesit dhe kontratë. Ndërkohë që, para nënshkrimit të kontratës së qirasë, me tarifë 1 euro/kontrata, qiramarrësi është i detyruar të kryejë pagesën e garancisë së kontratës, në masën 2 për qind të vlerës së investimit të marrë përsipër në konkurrim. Garancia kthehet pas përfundimit të investimit.


“Në kontratat me tarifë 1 euro/kontrata vendosen sanksione për rastet kur qiramarrësi nuk realizon kushtet e saj. Në përfundim të investimit, për çdo vend pune të pahapur, subjekti qiramarrës do të gjobitet me 50.000 lekë në vit. Për mosrealizim të vlerës totale të investimit në periudhën e parashikuar në kontratë, subjekti qiramarrës gjobitet me 10 për qind të vlerës së investimit të parealizuar. Ky sanksion do të vendoset pas dorëzimit të pasqyrave financiare vjetore të certifikuara nga ekspertët kontabël të autorizuar. Nëse edhe pas 6 muajve investimi nuk realizohet, kontrata zgjidhet nga institucioni shtetëror që e ka lidhur atë, duke marrë gjobë, në masën e garancisë së depozituar në atë periudhë. Pas këtyre veprimeve, në marrëveshje midis palëve, kontrata e qirasë mund të rilidhet me tarifa qiraje”, thuhet në vendim.


Gjithashtu përcaktohet se, pasi të jenë përmbushur të gjitha kushtet e parashikuara në kontratën bazë, atëherë subjekti qiradhënës i propozon Këshillit të Ministrave kalimin e kontratës në kontratë me tarifë simbolike 1 euro, duke ruajtur si garanci kontrate atë të kontratës së qirasë. Specifikimet për rastet dhe procedurat për ndryshimin e këtyre kontratave bëhen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ekonominë. Në rastet kur subjektit qiramarrës ose enfiteozëmarrës për mosshlyerje të detyrimeve të parashikuara në kontratë i është kërkuar zgjidhje e kontratës, në rast të shlyerjes së menjëhershme të këtyre detyrimeve dhe penaliteteve respektive të vendosura, me kërkesë të njësisë administratore të pasurisë shtetërore të marrë me qira ose enfiteozë, ministri përgjegjës për ekonominë ka të drejtë të revokojë aktin eprishjes së kontratës të lëshuar prej tij./Ballkanweb


Më të lexuarat