Secondary Adv

BSH: Në janar-nëntor 2024 u tejkalua rekordi i transaksioneve nga bankomati

Pavarësisht se në nëntor ka pasur një rënie të transaksioneve të realizuara përmes bankomateve, në 11 muaj është tejkaluar rekordi i vitit 2023. 

Në periudhën janar-nëntor 2024 janë tërhequr dhe depozituar më shumë para përmes bankomateve se në vitin pararendës.

 

Në fund të njëmbëdhjetëmujorit llogaritet që nga ATM-të të jenë tërhequr gjithsej 340 miliardë lekë, ndërsa janë depozituar rreth 45 miliardë.

 

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në muajin nëntor janë realizuar 1.8 milionë tërheqje dhe depozitim parash me kartë përmes ATM-ve, ku 1.7 milionë veprime ishin vetëm për tërheqje, ndërsa 94 mijë transaksione depozitim.

 

 Numri i depozitimeve vijon të jetë tepër i vogël, sepse ka ende disa banka të nivelit të dytë që në ATM-të e tyre nuk përfshijnë depozitimin e parave, një shërbim ky mjaft i kërkuar nga qytetarët, që herë pas here i detyron të presin në radhët e gjata të bankave për të realizuar këtë transaksion të thjeshtë.

 

Nga ana tjetër, për sa i takon vlerës së transaksioneve, është regjistruar në 32 miliardë lekë shuma e tërhequr nga shqiptarët në muajin nëntor, ndërkohë që shuma e depozituar ka qenë vetëm 4.2 miliardë. Si pasojë e numrit më të vogël të transaksioneve, edhe vlera totale e veprimeve ka qenë më e ulët.

 

Në tremujorin e tretë ka pasur edhe një shtim të numrit të bankomateve. Më shumë ATM të instaluara rrit aksesin e qytetarëve në shërbime bankare./Scantv


Më të lexuarat