Importi i farave në bujqësi, rregullat e reja dhe kriteret për regjistrimin në Katalogun Kombëtar
Qeveria ka forcuar rregullat sa i takon importit të farave për produkte të ndryshme që kultivohen në vend.
Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjit “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor", i cili synon që të sjellë përfitime të prekshme për fermerët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor .
Konkretisht, projektligji në fjalë rregullon procesin e regjistrimit të farave të importit, sipas së cilit, tashmë do të jetë një operator profesionit që do të bëjë furnizimin me fara. Po ashtu dhe për vendosin në treg si: shitje, mbajtje, transferim falas ose ofertë për shitje ose çdo mënyrë tjetër transferimi ose shpërndarjeje brenda vendit ose importi nga vendet e tjera ngarkohet një operator profesionist.
Sipas projektligjit, të drejtën për ushtrimin e veprimtarisë së tregtimit të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor e ka çdo person juridik ose fizik, me objekt veprimtarie prodhimin, importin e tregtimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, që paraqet dokumentacionin pranë institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar për vendosjen në treg.
Personi në fjalë duket të jetë i diplomuar në fushën e agronomisë ose në fushën e inxhinierisë së pyjeve për rastet e materialit mbjellës pyjor si dhe të ketë kontratë pune me kohë të plotë të drejtuesit teknik.
Nga ana tjetër drafti, lehtëson regjistrimin e varieteteve të reja të farave në Katalogun Kombëtar . Kërkesa për regjistrimin e një varieteti kryhet në sistemin on-line në platformën qeveritare “e-Albania.
Regjistrimi i varietetit në Katalogun Kombëtar kryhet vetëm nëse vërtetohet se varieteti është testuar për dallueshmëri, uniformitet dhe stabilitet, është miratuar si varietet i ri dhe është caktuar personi përgjegjës për ruajtjen e tij; Vërtetohet e drejta për përdorimin e këtij varieteti; Plotëson standardet e pranueshme për vlerën e kultivimit dhe të përdorimit; Deklarohet se varieteti nuk bën pjesë në listën e llojeve të huaja invazive.
“Një varietet, që është OMGJ, regjistrohet vetëm nëse plotëson kushtet e mësipërme, dhe nëse pranimi ose mbajtja e një varieteti të tillë nuk bie në kundërshtim me legjislacionin përkatës për OMGJ-të”.
Drafti parashikohet të ulët kostot për fermerët duke garantuar fuqinë mbirëse të materialit mbjellës shumëzues bimor në treg.
Projektligji garanton sigurinë e cilësisë së materialit mbjellës dhe shumëzues bimor për mbështetjen e prodhimit bujqësor./Scantv