Secondary Adv

Tregu i lirë, çmimet e energjisë për 2025, FTL miraton tarifat për tensionin 10 kV

Furnizuesi i Tregut të Lirë, pjesë e OSHEE group ka miratuar tarifat që do të aplikojë për klientët në tension 10kV, që kanë dalë në tregun e liberalizuar të energjisë nga data 1 janar 2025. 

Teksa ka ftuar këtë kategori biznesesh të lidhin kontratat e furnizimit me këtë shoqëri, bëhet me dije se çmimi që do të aplikohet është 18.34 lekë/kWh, pa TVSH për të gjithë vitin 2025.

 

Në total janë 2600 klientë në 10kV që duhet të lidhin kontratën e furnizimit me njërin nga operatorët e licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë për furnizimin me energji elektrike, mes të cilëve është edhe shoqëria publike FTL.

 

Ndërkohë që, pak kohë më parë edhe ERE iu bëri apel bizneseve që kanë plotësuar kriteret për të dalë në tregun e liberalizuar të energjisë, të gjejnë dhe kontraktojnë furnizuesin e tyre të energjisë, sipas listës së subjekteve të licencuar që gjendet në faqen online të këtij dikasteri.

 

Ndërkaq, ERE solli në vëmendje se për një periudhë 60-ditore kjo kategori biznesesh mund të furnizohet nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit me një çmim të rregulluar, duke siguruar që energjia të mos u ndërpritet. Kjo do të thotë se procesi i përzgjedhjes së furnizuesit duhet të përmbyllet deri në muajin shkurt 2025.

 

Dalja në tregun e lirë për 2600 biznese pasoi atë të vitit të kaluar me liberalizimin e rreth 2100 bizneseve të lidhur në tensionin 20 kV, ndërsa më herët u shkëputën edhe bizneset e lidhur në tensionin 35 kV./Scantv


Më të lexuarat