Secondary Adv

Zhvlerësohen produktet Made in Albania, biznesi vendas humb me miliona euro në eksport

Dobësimi i valutave i ka zhvlerësuar produktet ushqimore shqiptare në tregjet e huaja.

Shifrat e INSTAT tregojnë se vjet bizneset kanë shitur sasi më të madhe produktesh ushqimore, por kanë fituar shumë më pak se në 2023-shin. Nga ana tjetër pozitat e importit janë fuqizuar edhe më shumë në tregun shqiptar.

 

Ushqimi në treg po dominohet nga importi, ndërsa produktet ‘Made in Albania’ kanë humbur terren jashtë vendit. Për shkak të dobësimit të valutave, produktet shqiptare janë zhvlerësuar në tregjet e huaja, e për pasojë bizneset vendase kanë humbur me miliona euro.

 

INSTAT raporton se vjet janë eksportuar 471 mijë tonë produkte ushqimore, nga 390 mijë tonë që u shitën në vitin 2023. Por edhe pse kanë shitur më shumë në sasi, kanë marrë mbrapsht më pak para se në 2023-shin, kjo për shkak të uljes së çmimeve të produkteve në tregjet e huaja por kryesisht për shkak të zhvlerësimit të euros që ka goditur fort eksportuesit gjatë vitit të shkuar.

 

Në total bizneset shqiptare kanë shitur jashtë vendit mallra ushqimore me vlerë 532 milionë euro, nga 556 milionë euro që ishte vlera në vitin 2023, duke dëshmuar për një trend negativ në eksporte.

 

Por teksa eksportet po tkurren në vlerë, e kundërta po ndodh me importin si në sasi ashtu edhe në vlerë. Gjatë vitit 2024, vendi ka blerë nga jashtë 1.2 milionë tonë produkte ushqimore, pije e duhan, me vlerë 1.5 miliardë euro, me rritje në raport me vitin 2023 me rreth 110 milionë euro, pasi sipas INSTAT në vitin 2023, nga jashtë u blenë afro 1.4 miliardë euro.

 

Përfaqësuesit e bizneseve shqiptare thonë se faji për këtë qëndron tek shteti, i cili me skemën e TVSH-së po favorizon importin. Sa i takon çmimit për kilogramë, rezulton se produktet shqiptare janë zhvlerësuar më shumë sesa ato të huaja. 

 

Nëse në 2023-shin në kilogram i importuar ka kushtuar mesatarisht 129 lekë, në vitin që lamë pas zbriti në 120 lekë. Kurse një kilogramë i eksportuar vjet ka kushtuar 112 lekë, nga 142 lekë që kushtoi në vitin 2023./Shqiptarja.com


Më të lexuarat