DIVA, dyfishohet numri i individëve që duhet të deklarojnë, ja kategoritë e detyruara
Këtë vit, rregullat për deklarimin e të ardhurave përmes DIVA-s do të jetë ndryshe nga më parë.
Në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, përcaktohen kategoritë se kush duhet të deklarojë të ardhurat në administratën tatimore.
Konkretisht, një individ është i detyruar të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore personale kur të ardhurat tatimore vjetore janë më shumë se 1.2 milionë lekë në vit nga të gjitha burimet. Po ashtu, kur është në marrëdhënie punësimi me më shumë se një punëdhënës, pavarësisht nga shuma e të ardhurave që merr nga punëdhënësit.
Si dhe kur ka më shumë se 50 000 lekë të çdo të ardhure tjetër që nuk i nënshtrohet tatimit përfundimtar në burim. Po ashtu çdo person fizik që kryen veprimtari ekonomike është i detyruar të dorëzojë deklaratën tatimore vjetore për të ardhurat nga biznesi.
Numri personal i identifikimit për individët apo numri unik i identifikimit të subjektit për tatimpaguesit e regjistruar përdoren si numra identifikimi tatimorë të tatimpaguesve rezidentë të të ardhurave personale për qëllime të deklaratës tatimore mbi të ardhurat personale.
Tatimpaguesve jorezidentë u jepet një numër identifikimi tatimor sipas përcaktimit në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat.
Sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore për vitin 2023, DIVA është plotësuar nga 73.790 individë, nga të cilët 24.224 individë me të ardhura mbi 2 milion lekë, prag i cili ishte në fuqi deri në 2023-shin dhe 49,566 individë të dypunësuar.
Me pragun e ri prej 1.2 milionë lekë, numri i individëve që kanë detyrim deklarimi arrin në rreth 140 mijë të punësuar.
Në rastet kur individët për një arsye apo tjetër nuk bëjnë deklarimin në afat, penalizohen me gjobë në vlerën 3 mijë-10 mijë lekë.
Deklarata DIVA 2024, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Rubrikat e sipërpërmendura, megjithëse gjenerohen të paraplotësuara, do të vijojnë të jenë fusha të lira dhe të ndryshueshme, në mënyrë që deklaruesi të ketë mundësi t’i verifikojë dhe ndryshojë ato.
Aktualisht po punohet për formularin e ri të deklarimit si dhe pritet udhëzimi përkatës për mënyrën se si do të bëhen zbritjet tatimore./Scantv