Secondary Adv

Rriten kërkesat për hua nga bizneset, BSH: Norma e refuzimit nga bankat ranë në tetor-dhjetor 2024

Bankat kanë miratuar më shumë kredi të bizneseve në 3 muajt e fundit të 2024.

Bankat kanë miratuar më shumë kredi të bizneseve në 3 muajt e fundit të 2024, dhe kjo si pasojë e politikave të bankave lidhur me kolateralin, pasqyrave financiare të bizneseve, perceptimit më të ulët të rrezikut mbi të ardhmen e sektorit ku operojnë bizneset, si edhe elementet e lidhura me historikun e kreditit të bizneseve.

 

Në periudhën tetor-dhjetor, edhe kërkesat për kredi nga ana e bizneseve kanë qenë më të shumta. Nevojat më të larta për financimin e inventarëve të kapitalit qarkullues dhe të investimeve kanë qenë arsyet kryesore pse ata kanë kërkuar kredi.

 

Standardet e kreditimit për bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha kanë mbetur thuajse të pandryshuara në tremujorin e fundit të vitit 2024.

 

Kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci ndikuan pak në lehtësimin e kritereve të miratimit të kredisë, por nga ana tjetër ishin toleranca më e ulët ndaj rrezikut dhe mungesa e besimit ndaj aftësisë paguese të kredimarrësit, apo mbi kolateralin e kërkuar, ato që do të ndikonin në shtrëngimin e standardeve.

 

Gjithashtu, kushtet dhe afatet e kredisë së miratuar sikurse përcaktohet në kontratën e huasë dhe që ndryshojnë në varësi të profilit të huamarrësit, nuk kanë pasur ndonjë ndryshim të madh.

 

Në gjykimin e bankave, ulja e normave bazë të interesit, sidomos në monedhë të huaj, si edhe ecuria e kursit të këmbimit, kontribuan pak në lehtësim.

 

Në 3 muajt e parë të 2025, standardet e kreditimit për bizneset e vogla dhe të mesme pritet të lehtësohen, sidomos për sa i përket kredive me qëllim investimi. Ndërkohë, për bizneset e mëdha nuk parashikohet asnjë lehtësim.

 

Së fundmi, Banka e Shqipërisë ka miratuar edhe një program të ri për mbështetjen e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme, ku bankat tregtare do i ofrojnë atyre kredi me norma interesi deri në 3.5% për një periudhë 5-vjeçare./Scantv


Më të lexuarat