Secondary Adv

Banka Botërore parashikon një ngadalësim të ritmit te ekonomisë per 2025 dhe 2026

Ekonomia shqiptare pritet të rritet me një ritëm më të ngadaltë në 2025 dhe 2026.

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore, vendi pritet të ketë një rritje ekonomike prej 3.5% gjatë këtij viti dhe 3.3% në vitin e ardhshëm.

 

Banka Botërore përdor një metodologji të ndryshme për të përcaktuar shkallën e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Parashikimet tregojnë se nga viti 2022 ka pasur një ngadalësim të rritjes ekonomike të vendit, ku vetëm për 2024, rritja reale e PBB-së së Shqipërisë u vlerësua në 3.7%.

 

Që nga qershori i vitit të kaluar, parashikimet e këtij institucioni për ecurinë e ekonomisë shqiptare janë përmirësuar me 0.1% për vitin 2025, por janë përkeqësuar me 0.2% për vitin 2026.

 

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosova dhe Serbia pritet të kenë rritjen më të lartë ekonomike. Ndërkohë, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, do të kenë një përmirësim të ekonomisë së tyre thuajse në të njëjtat nivele si Shqipëria.

 

Në tërësi, viti që lamë pas, ka qenë pozitiv për ekonominë shqiptare. Inflacioni ra në 2.2%, ndërsa edhe borxhi publik, e ai i jashtëm ranë në nivelet më të ulëta të më shumë se një dekade.

 

Ambienti financiar me norma të ulëta interesi, së bashku me qasjen proaktive të bankave ndaj kreditimit, nxiti një rritje të fortë të kredisë, e cila rezultoi rreth 16% më e lartë se në vitin 2023, duke dhënë një mbështetje të rëndësishme për aktivitetin ekonomik./Scantv


Më të lexuarat