Secondary Adv

Krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit në bashkëpunim me Italinë, 250 mln euro për bujqësinë

Krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit dhe miratimi i një kredie me një vlerë 250 milionë euro, me fokus bujqësinë janë dy çështjet e diskutuara në mbledhjen e fundit të qeverisë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se banka do të krijohet në bashkëpunim me një institucion financiar Italian dhe do të menaxhohet nga një skuadër shqiptaro-italiane.

 

Kreu i qeverisë bëri me dije që Banka e Shqipërisë ka miratuar një linjë kredie prej 250 milionë euro me fokus sektorin e bujqësisë, ndërkohë që kjo linjë financimi do të mbështetet edhe me një garanci sovrane nga qeveria.

 

“Sapo kemi mbaruar një mbledhje për dy çështje të zhvillimit. E para finalizimi i projektligjit mbi Bankën Shqiptare të Zhvillimit, falë bashkëpunimit me prestigjiozen italiane Cassa Depositi e Prestiti, një institucion financiar. Jemi gati t’ia shtojmë Shqipërisë këtë motor zhvillimi në këtë stad të ri të vendit.

 

Projekti është bindës dhe së shpejti do të hidhet për diskutim publik. Banka do të menaxhohet nga një super skuadër shqiptaro-italiane. Do të garantojë një qeverisje të pavarur dhe profesionale të saj.

 

E dyta, Banka e Shqipërisë sapo ka miratuar një linjë të re financimi për ndërmarrjet e vogla e të mesme, me fokus kryesor te bujqësia, 250 milionë euro. Kemi diskutuar që ta mbështesim nga Qeveria këtë linjë financimi edhe me një garanci sovrane. Ky është volumi më i madh i vënë ndonjëherë në mbështetje me kredi të buta, të agropërpunimit, të serave, të agroturizmit, e me radhë”, tha Rama.

 

/Monitor (https://monitor.al/rama-krijimi-i-bankes-shqiptare-te-zhvillimit-ne-bashkepunim-me-italine-250-mln-euro-per-bujqesine/)


Më të lexuarat