Ide inovative ne turizem, nisin aplikimet per rajonin e Korces
Pas rajonit të Shkodrës dhe atij të Gjirokastrës, konkursi “Risi Turistike” do të zhvendoset në Korçë. Ide që mund të kthehen në plane biznesi, sipërmarrje që mund të duan të nxisin një produkt apo shërbim të ri.
Qëllimi është që të nxitet zhvillimi i produkteve të reja turistike, për të krijuar itinerare të reja ose për të gjeneruar vlerë të shtuar të atyre ekzistuese, duke siguruar përvojë të pasur dhe autentike për turistët në këto rajone.
Data 10 nëntor i këtij viti është afati i fundit për të dorëzuar idetë ose planet e biznesit. Të gjitha propozimet konkurruese do të vlerësohen nga një juri e përbërë nga ekspertë. Ky është një konkurs i cili mbështetet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe AIDA.Përmes këtij projekti do të synohet që Korça të tërheqë një numër më të madh turistësh, të zgjatet koha e qëndrimit, të ardhurat, si dhe punësimi kryesisht te të rinjtë.
Vlerësimi i projekteve do të bëhet në bazë të disa kritereve, si: Inovacioni, bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm në sektorin e turizmit, ideve që përfshijnë përfitimet për bizneset e ndryshme dhe palët e interesuara në këtë sektor; qëndrueshmërinë e produktit, e parashikuar kjo në formatin e planit të biznesit; gjenerimin e vendeve të reja të punës në sektorin e turizmit sidomos për të rinjtë; idetë për fuqizimin ekonomik të grave përmes turizmit; bizneset rurale dhe të pazhvilluara, etj.
Ndërsa subjektet duhet të përmbushin këko kushte : 1. Konkurrueshmëria – biznes i regjistruar, me përvojë jo më pak se 2 vjet dhe bilanc pozitiv 2. Artizanati – biznes i regjistruar, me përvojë jo më pak se 1 vit dhe bilanc pozitiv 3. Start up – biznes i saporegjistruar 4. Teknologjia Inovative – biznes i regjistruar, me përvojë jo më pak se 2 vjet dhe bilanc pozitiv