Nënshkruhet marrëveshja me BEI: Investime për hekurudhat dhe energjinë
Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Vendit Pritës me Bankën Evropiane të Investimeve.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Banka Evropiane synon që të rrisë investimet e saj në Shqipëri dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik e integrimin evropian të vendit.
Sipas Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, kjo është një iniciativë kyçe për të mbështetur zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve të Bashkimit Evropian, si dhe Planin e Rritjes në Ballkanin Perëndimor.
“Hapja e kësaj zyre synon të maksimizojë mbështetjen financiare dhe teknike për projekte të rëndësishme, për projekte që Banka Evropiane e Investimeve na ka mbështetur që nga viti 1995. Kontributi i Bankës reflektohet në fusha prioritare si modernizimi i infrastrukturës, nxitja e zhvillimit të qëndueshëm dhe ç'është më e rëndësishmja avancimi i agjendës evropiane të Shqipërisë.”
Zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, theksoi se Banka do investojë më tej në infrastrukturën e vendit, por edhe në fusha si energjia, turizmi, apo kultura.
“Ne do të shtojmë projektet e investimit në Shqipëri, sidomos në fushën e lidhjeve infrastrukturore, por jo vetëm. Fillimisht, lidhja ka një element fizik, që në rastin e Shqipërisë është hekurudha, vecanërisht lidhja hekurudhore me vendet e rajonit, për shembull projekti ynë i fundit prej 226 milionë euro kredi për modernizimin e hekurudhës nga Vora te kufiri me Malin e Zi.
Përvec lidhjes fizike, kemi edhe lidhje digjitale dhe jemi gjithashtu të lumtur të punojmë në projektet në Shqipëri që kanë të bëjnë me vendosjen e lidhjeve broadband në të gjitha pjesët e vendit. Dhe shikoj potencial për të bërë më shumë, vecanërisht në fushën e energjisë, furnizimit me ujë.”
Që prej 1995, Banka Evropiane e Investimeve është përfshirë në 26 projekte në Shqipëri. Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato theksoi se Banka nuk synon vetëm të ofrojë fonde për Shqipërinë, por gjithashtu të trajnojë sistemin shqiptar sipas standardeve evropiane. /Scan