Europa duhet të përgatitet për tarifat e Trump, paralajmëron presidentja e BQE
Europa duhet “të jetë e përgatitur” për tarifat e mundshme tregtare nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha presidentja e Bankës Qendrore Europiane.
Christine Lagarde shtoi se fakti, që Trump nuk kishte vendosur tarifa të përgjithshme në ditën e parë të presidencës së tij ishte një “qasje shumë e zgjuar”.
Si e tillë, ajo tha se pret që tarifat e Trump të jenë “më selektive, të fokusuara”.
Trump ka kërcënuar se do të vendosë taksa për mallrat e importuara në SHBA nga BE dhe i ka përsëritur këto pretendime, që nga inaugurimi i tij të hënën.
Ka një debat të gjerë rreth ndikimit të tarifave të mundshme të SHBA. Ekonomistët kanë thënë se taksat mund të dëmtojnë ekonomitë mbi të cilat ato vendosen, duke çuar në eksportimin e më pak mallrave në SHBA. Disa kanë paralajmëruar gjithashtu se ekonomia e SHBA-së mund të preket, pasi tarifat mund të rezultojnë në inflacion më të lartë.
Trump ka thënë se tarifat do të mbrojnë biznesin amerikan dhe do të mbështesin ekonominë e vendit të tij.
Lagarde tha se teoria e zëvendësimit – ulja e importeve nga Europa në një përpjekje për të “përforcuar” prodhimin në SHBA – ishte “e diskutueshme sepse ekonomia amerikane pothuajse ka arritur limitet e përdorimit të kapaciteteve të veta për momentin”.
“Nëse shikoni tregun e punës në SHBA, ai ka një shkallë shumë të ulët papunësie. Nëse shikoni kapacitetin, ai tashmë funksionon pothuajse me kapacitet të plotë. Kështu që ideja që ju mund të prodhoni atë që nuk do të importoni më, ose që do të importoni me çmime shumë më të larta, është diçka që do të dojë pak kohë”, tha ajo.
Importuesit gjithashtu ka të ngjarë të mos mund të drejtonin biznese me marzhe të ulëta për një periudhë të gjatë kohore, që do të thotë se përfundimisht “paratë i kalojnë konsumatorit”, shtoi Lagarde.
“Një mënyrë për t’iu përgjigjur” politikës tregtare të SHBA
Lagarde bëri thirrje gjithashtu për heqjen e pengesave për tregtinë brenda Europës, duke vënë në dukje se pavarësisht aspiratave për të krijuar një treg të vetëm, kishte ende barriera që ndonjëherë pengonin mallrat dhe shërbimet të udhëtonin pa dëme.
Lagarde tha se shpresonte se kjo do të ndodhte në javët e ardhshme, duke e përshkruar atë si “një mënyrë për t’iu përgjigjur ndryshimit në politikën tregtare në Shtetet e Bashkuara”.
“Bëhuni të fortë brenda kufijve, ‘në shtëpi’ dhe sigurohuni që të bëni transaksione, të shisni dhe blini në shtëpi, të kurseni në shtëpi dhe të investoni në shtëpi. Nuk dua të them se duam të kalojmë në një qasje proteksioniste, sepse nga barrierat e ulëta kemi mësuar se tregtia është në të vërtetë shumë e dobishme,” shtoi Lagarde.