
Paketa e re fiskale, ulen gjobat per biznesin. Ja kush perfiton
Ministria e Financave i ka dorëzuar qeverisë projektligjin me uljen e gjobave ndaj biznesit, duke përfshirë edhe supergjobat për kuponin, mospërdorimin e kasës apo moslëshimit të faturave tatimore të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese.
Tashmë nuk ka më dyshime. Me ligjin e ri Ministria e Financave ka vendosur ulje deri në 10 herë të gjobave që u shfuqizuan në Kushtetuese. Ndryshimet sjellin edhe kategorizim të gjobave, për biznesin me TVSH dhe biznesin e vogël.
Gjobat
Botohen ndryshimet e plota të ligjit për procedurat tatimore, ku nga Financat janë rishikuar penalitetet e rrëzuara nga Kushtetuesja. Pas vendimit të Gjykatës për rrëzimin e nenit 119, ku parashikonte se në rast se biznesi nuk deklaron punonjësit vendoset gjobë prej 500 mijë lekësh. Në projektligj ky penalitet është rishikuar dhe gjoba reduktohet në 200 mijë lekë për biznesin e madh dhe 50 mijë lekë për biznesin e vogël. Gjoba 500 mijë lekëshe për afishimin e çmimeve nga biznesi e shfuqizuar në gjykatë me ligjin e ri do të jetë 100 mijë lekë për biznesin e madh dhe 50 mijë lekë për biznesin e vogël. Penaliteti për moslëshimin e kuponit tatimor në vlerën 500 mijë lekë, edhe ky nen i shfuqizuar nga Kushtetuesja, do të jetë 50 mijë lekë.
Edhe për supergjobë e shfuqizuar prej 10 milionë lekësh për biznesin që shet mallra me shumicë apo mban edhe në ruajtje pa dokumente tatimore, është vendosur heqja e dënimit me konfiskim dhe kërkohet dokumentimi i mallit dhe i ndryshohet përgjegjësia tatimpaguesit që është konstatuar në shkelje. Tatimpaguesi i Tatimit të Thjeshtuar të Fitimit, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, menjëherë në momentin e konstatimit i ndryshohet përgjegjësia tatimore duke kaluar si tatimpagues i TVSH-së, por pa e gjobitur.
Ligji i ri parashikon në procedurat që do të zbatojnë tatimet për të kontrolluar biznesin. Tashmë, njoftimi i kontrollit tatimor i dërgohet tatimpaguesit të paktën 30 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të kontrollit tatimor të shkruar në njoftim, përveç kur kontrolli kryhet si rezultat i kërkesës së tatimpaguesit për rimbursim tatimor.
Në rastin e kryerjes së vizitave fiskale, të cilat janë kontrolle të shkurtra të kryera gjatë një periudhe të shkurtër kohore për të verifikuar saktësinë e deklaratave dhe pagesave, si rregull vetëm për një periudhë të caktuar tatimore dhe vetëm për një lloj tatimi, njoftimi i vizitës fiskale i dërgohet tatimpaguesit të paktën 10 ditë përpara datës së fillimit të vizitës fiskale.
Ndryshimet
NENI 113
Ishte
Biznesi, i cili nuk dorëzon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10 000 lekë për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar.
Bëhet
Biznesi, i cili nuk dorëzon në afat deklaratën tatimore dënohet me gjobë për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar në afat, si: 10 000 lekë për biznesin e tatimit mbi fitimin; 5 000 lekë për biznesin e vogël.
Neni 119 i rrëzuar nga Kushtetuesja ISHTE
Biznesi që nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar dënohet me gjobë 500.000 lekë për çdo punonjës të padeklaruar.
Bëhet
Biznesi që nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar: biznesi i madh gjobë prej 200 000 lekë; tatimpaguesit i vogël me gjobë prej 50 000 lekë.
Neni 122 i shfuqizuar nga Kushtetuesja
Ishte
Biznesi që nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e mallrave dënohet me gjobë 500 mijë lekë dhe rivlerësim të të ardhurave për 6 muajt e fundit.
Bëhet
Biznesi që nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e mallrave dënohet me gjobë 50 mijë lekë dhe rivlerësim të të ardhurave bëhet vetëm për 3 muajt e fundit për biznesin e madh.
Neni 130 i shfuqizuar nga Kushtetuesja
Ishte
Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë 500,000 lekë.
Bëhet
Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë me 100,000 lekë për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin dhe 50,000 lekë për tatimpaguesit e tjerë./Panorama
Më të lexuarat








