Secondary Adv

Emetohen për herë të parë obligacionet 20 vjeçare, kërkesë e lartë nga investitorët

Ministria e Financave zhvilloi të martën ankandin e parë të obligacioneve 20-vjeçare.

Ankandi tërhoqi interes mjaft të lartë të investitorëve.

 

Nga 1.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur e emetimit, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 4.26 miliardë lekëve. Falë kërkesës së lartë dhe çmimit të favorshëm, Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumën e emetimit me 15%, për një vlerë totale prej 1.72 miliardë lekësh.

 

Yield-i uniform i pranuar dhe kuponi i obligacionit rezultuan në nivelin 6.78%, poshtë kuponin referencë prej 7% të paraqitur para ankandit nga Ministria e Financave.

 

Në muajin mars, Ministria e Financave ka parashikuar edhe një rihapje e ankandit të obligacioneve 20-vjeçare, për një vlerë prej 1 miliard lekësh.

 

Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Zgjatja e maturitetit mesatar të borxhit është një masë e fokusuar në menaxhimin e rrezikut të rifinancimit, duke ulur detyrimet e ripagesës së borxhit në periudha afatshkurtra.

 

Në vitet e fundit, Shqipëria ka ndjekur një trajektore të përmirësimit të parametrave të borxhit publik. Pas një niveli rekord mbi 74% të PBB-së në vitin 2021, borxhi publik ka ardhur në rënie të shpejtë gjatë viteve në vazhdim dhe në fund të vitit 2023 zbriti në 57.5% të PBB-së. Sipas vlerësimeve paraprake të Ministrisë së Financave në fund të 9-mujorit 2024 borxhi publik ishte sa 55.45% e PBB-së.

 

Ulja e borxhit bëri që agjencitë kryesore të vlerësimit të kreditit, S&P Global Ratings dhe Moody’s, gjatë këtij viti ta përmirësonin notën e borxhit Sovran të vendit.

 

Në dekadën e fundit, Ministria e Financave ka ndjekur një strategji të zgjatjes graduale të maturitetit të borxhit publik, me qëllim kryesor uljen e rrezikut të rifinancimit, por edhe përfitimin nga cikli i normave të ulëta të interesit. Në fund të vitit të kaluar, maturiteti mesatar i portofolit të borxhit të brendshëm ishte rreth 928 ditë, nga rreth 630 ditë që kishte qenë një dekadë më parë.

 

Interesi i lartë i investitorëve tregon se këto instrumente janë tërheqës për investitorët institucionalë.

 

Këto instrumente janë alternative e mirë sidomos për institucionet financiare dhe investitorët institucionalë. Veçanërisht për shoqëritë e administrimit të fondeve me horizonte afatgjata, si fondet private të pensioneve, obligacionet 20 vjeçare përbëjnë mundësi për të pasuruar spektrin e investimeve dhe për të rritur kthimet për anëtarët.

 

Për herë të parë vitin e kaluar, tregu i instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare në lekë tërhoqi investitorë të huaj.

 

Nga ana tjetër, shtimi i instrumenteve të borxhit me maturim më afatgjatë krijon më shumë premisa për të zhvilluar tregun dytësor të titujve, për t’i bërë këta tituj më likuidë.

 

/Monitor (https://monitor.al/emetohen-per-here-te-pare-obligacionet-20-vjecare-kerkese-e-larte-nga-investitoret/)


Më të lexuarat