Turizmi nxit bashkitë të ndërhyjnë në rrugë, projektet në Sarandë dhe Himarë
Turizmi duket se ka nxitur bashkitë të jenë më të vëmendshme ndaj infrastrukturës së tyre të brendshme rrugore edhe pse kjo duhej të ishte menduar më herët se sot.
Turizmi duket se ka nxitur bashkitë të jenë më të vëmendshme ndaj infrastrukturës së tyre të brendshme rrugore edhe pse kjo duhej të ishte menduar më herët se sot, kur Shqipëria është një destinacion me popullaritet në rritje.
Bashkia Sarandë njoftoi së fundmi se do të ndërhyrje në Lagjen 3 dhe 4 në qytet pas përfundimit të projektimit të rrugëve që do të preken të cilat janë pjesë e një procedure prokurimi të përfunduar së fundmi.
Kështu rikualifikimi i rrugëve të brendshme në këto lagje parashikon që të hartojë si fillim projektet dhe më pas të kryhet ndërhyrja.
Në dokumentet e procedurës “Rikualifikim rrugë të brendshme Lagjia 3 dhe 4” me një ofertë fituese 180 mijë euro, thuhet se këto rrugë janë në gjendje të amortizuar dhe përmirësimi i tyre do t’i shërbejë banorëve të qytetit por edhe pushuesve të huaj.
Qëllimi i projektit: “Rikualifikim urban i rrugëve të brendshme në Lagjen Nr.3 dhe Nr.4, Sarande” konsiston ne rikualifikimin e infrastrukturës rrugore si dhe infrastrukturën e mirëfilltë bashkëkohore dhe kthimin e saj në shërbim për komunitetin dhe pushuesve të huaj dhe vendas që frekuentojnë këto zona turistike” thuhet në dokument.
Sipas Bashkisë në këtë projekt janë parashikuar tre rrugë të cilat kanë një shtrirje totale prej 1.46 kilometra dhe gjerësi 5 metra dhe 3 metra sipas terrenit ekzistues në rrugë.
“Rrugët ndodhen në një zonë urbane, në të dy anët rruga kufizohet me mure rrethues të avllive. Në gjendjen ekzistuese rruga paraqitet e amortizuar dhe e degraduar në pjesën më të madhe të saj. Një nga zonat e ndërhyrjes është degëzimi i rrugës mbi Spital përgjatë rrugëve të brendshme në lagjen 3 dhe4“, thuhet në dokument.
Ndërkohë përveç Sarandës duket se edhe bashkia Himarë ka planifikuar ndërhyrje në disa rrugë edhe pse kjo lidhet me rrugë të fshatrave rrotull saj me potencial turistik siç është fshati Tërbaç në rrëzë të Malit të Çikës një destinacion që është bërë popullor ndër turistët e aventurës për ecje në natyrë ndërkohë që një tjetër rrugë është ajo në fshatin Ilias. Ky i fundit është në afërsi të pikave të tilla si Kanioni i Gjipesë apo Shpella e Pëllumbave./ Monitor (https://monitor.al/turizmi-detyron-bashkite-te-nderhyjne-ne-rruge-projektet-ne-sarande-dhe-himare/)