
Ekonomia e Eurozonës në stanjacion tremujorin e katërt të 2024
Tkurrja e prodhimit në Gjermani dhe stanjacion i Francës eliminuan shifrat e përmirësuara në Itali dhe Spanjë
Performanca e njëzetë ekonomive të Eurozonës ishte më e mirë se parashikimi i tkurrjes 0.1% nga ekonomistët. Ajo pasoi një rënie prej 0.1% në tremujorin e kaluar dhe nënkuptonte se Eurozona u rrit 0.5% vitin e kaluar, tha zyra e statistikave të BE-së.
Kjo e la bllokun pas SHBA-së, e cila javën e kaluar u shpall ekonomia e përparuar me rritjen më të shpejtë në botë në vitin 2023, me rritje vjetore prej 2.5%. Qeveria e Kinës së fundmi vlerësoi se ekonomia e saj u rrit 5.2% vitin e kaluar.
Problemi kryesor në rritjen e Eurozonës ishte ekonomia gjermane, e cila u tkurr 0.3%, e ngadalësuar nga rënia e investimeve në ndërtim, makineri dhe pajisje.
Ngecja e prodhimit të brendshëm bruto të Francës në tremujorin e katërt pasoi një rezultat të ngjashëm në tremujorin e tretë.
Ekonomia e Italisë, në të kundërt, ndihmoi rezultatin e përgjithshëm, pasi u zgjerua me 0.2% gjatë të njëjtës periudhë, falë prodhimit më të fortë në industri dhe shërbime që kompensuan kërkesën e brendshme më të dobët.
Ekonomia e Spanjës gjithashtu u rrit më shpejt se sa pritshmëritë e ekonomistëve, me rritje tremujore 0.6%, zgjerimi më i fortë i vitit, falë rritjes së kërkesës së brendshme.
Zyra e statistikave e Spanjës tha gjithashtu se çmimet më të larta të energjisë elektrike, duke reflektuar një heqje graduale të lehtësimit të taksave, shkaktuan një rritje të papritur të inflacionit, nga 3.3% në dhjetor në 3.5% në janar.
Investitorët do të shikojnë nëse inflacioni në të gjithë bllokun ulet siç pritej në 2.8% në janar nga 2.9% një muaj më parë, kur të dhënat e çmimeve publikohen. Shifrat do të jenë një tregues kyç, se sa afër është Banka Qendrore Europiane në uljen e normave të interesit.
Shifrat treguan se ekonomia e Spanjës u rrit 2.5% vitin e kaluar, ndërsa Franca u rrit 0.9% dhe Italia 0.7%. Megjithatë, ekonomia e Gjermanisë u tkurr me 0.3% gjatë vitit.
Ekonomistët presin, që ekonomia e Eurozonës të rritet lehtë këtë vit, pasi rënia e inflacionit dhe rritja e vazhdueshme e pagave, rrit fuqinë shpenzuese të konsumatorëve. Tregu i fortë i punës, me papunësinë që ka arritur një rekord të ulët 6.4% në nëntor, duhet të mbështesë gjithashtu kërkesën.
Megjithatë, qeveritë po tërheqin shumë nga subvencionet për energjinë dhe ushqimin, që prezantuan për të zbutur ndikimin e rritjes së kostos së jetesës, që pasoi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Komisioni Europian tha se vlerësimi i treguesit të besimit të konsumatorit kishte rënë me 1 pikë në minus 16.1 në zonën e euros, duke e çuar atë më tej nën mesataren afatgjatë.
Bizneset e Eurozonës ishin ende duke luftuar me kërkesën e dobët në fillim të këtij viti, sipas një sondazhi të menaxherëve të blerjeve të publikuar nga S&P Global javën e kaluar, i cili zbuloi se aktiviteti vazhdoi rënien në janar, megjithëse me ritmin më të ngadaltë për gjashtë muaj./ Monitor (https://monitor.al/ekonomia-e-eurozones-ne-stanjacion-tremujorin-e-katert-te-2024/)
Më të lexuarat








