Secondary Adv

Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas, janë realizuar 80 per qind e punimeve, 40.7 mln euro hua shtesë

Interesi i udhëtarëve që duan të përdorin trenin si mjet transporti po rritet.

6666 pasagjerë përdorën transportin hekurudhor në tremujorin e katërt të vitit 2024 sipas raportit të fundit të INSTAT.

 

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i pasagjerëve që zgjodhën trenin si mjet udhëtimi, rezulton të jetë 68,6% më i lartë. Ndërsa volumi i mallrave të transportuara nëpërmjet rrugëve hekurudhore është 133,6 mijë tonë, duke shënuar rritje me 1,8%, në krahasim me tremujorin e katër 2023. 

 

Këtë javë Kuvendi i Shqipërisë i hapi rrugë avancimit të mëtejshëm të punimeve për projektin e linjës Durrës-Tiranë-Aeroport, ku u miratua marrëveshja e huasë në vlerën 40.7 mln euro. 

 

Ky financim shtesë do të përdoret për komponentë të rinj mbi projektin: Ndërtimin e 8 godinave të reja, përfshirë sheshet, parkimet dhe mbulesat e platformave të pasagjerit; Indeksim i çmimeve për materialet bazë ndërtimore; Mbikqyrjen e punimeve për godinat. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, 

 

Taulant Balla në prezantimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, tha se janë realizuar 80% e punimeve të kontratës aktuale, e cila konsiston në 34 kilometra linjë të rehabilituar plotësisht mes Tiranës dhe Durrësit dhe një linjë hekurudhore komplet e re me aeroportin e Rinasit prej 5 kilometrash.

 

Edhe në fushatë zgjedhore, dhe pse fushata me Kodin Zgjedhor është 30 ditë, ne nuk kemi kohë për të humbur na duhet të çojmë përpara një sërë projektesh, të cilët po konkretizojnë çdo ditë vizionin tonë Shqipëria 2030. 

 

Janë të gjithë shqiptarët që nuk duan të shkojnë më në Durrës me furgona, as me autobus, duan të shkojnë me tren. E patëm lënë një projekt në 2005-ën erdhi njëri këtu e anuloi se nuk i pëlqen treni, se nuk e ka njohur ndonjëherë trenin. Tani do bëhet. 

 

Treni do të jetë i standardeve më të mira evropiane dhe e mira e kësaj pune, është që nuk do shkoni më me Benza në aeroportin e Rinasit, por do shkoni me tren. Finalizimi i këtij projekti, 12 muaj nga momenti i miratimit të pr/ligji. 

 

Deri tani janë realizuar 80% e punimeve të kontratës aktuale, e cila konsiston në 34 kilometra linjë të rehabilituar plotësisht mes Tiranës dhe Durrësit dhe një linjë hekurudhore komplet e re me aeroportin e Rinasit prej 5 kilometrash”.- tha Balla.

 

Financimi shtesë vjen në përputhje dhe rakordim të plotë me partnerët ndërkombëtar, BERZH dhe BE. Kjo shtesë financimi do të ketë ndikim të konsiderueshëm në implementimin e projektit në tërësi, si edhe në vijueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tij gjatë procesit të shfrytëzimit të kësaj linje hekurudhore./Scantv


Më të lexuarat