Secondary Adv

Sistem modern me kamera në dogana , hapet tenderi 72 milionë lekë

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka hapur tenderin për përmirësimin e pajisjeve fizike të sistemit të monitorimit me kamera në degët doganore. 


Fondi limit i përllogaritur i këtij projekti është 72 milionë e 602 mijë lekë.

 

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, aktualisht në degët doganore janë të instaluara sisteme, të cilat janë të vjetra dhe me rezolucion të ulët. Kamerat LPR, të cilat bëjnë leximin e targave nuk ofrojnë performancën e duhur dhe shpesh shfaqin gabime në leximin e tyre.

 

Sistemi i video-survejimit në degët, ku ka sistem ekzistues është i vjetër dhe nuk ofron fleksibilitet në zgjedhjen e kamerave, në rastet kur mund të shtohen kamera të tjera në këtë sistem. Për këtë, ky projekt ka si qëllim implementimin e një sistemi modern për monitorimin e pikave doganore, i cili do të integrohet me sistemin e ri qendror për menaxhimin e videove.

 

Autoritetet doganore synojnë garantimin e sigurisë dhe të mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe banorëve të saj, si dhe lehtësimit të tregtisë së ligjshme.

 

Objektivi i këtij projekti, është përmirësimi dhe optimizimi i sistemeve të monitorimit dhe pajisjeve fizike për degët doganore të përfshira në këtë projekt, duke synuar sigurim e mbulimit të plotë me sistemin e monitorimit me kamera në degët doganore, e duke garantuar mbikëqyrjen e vazhdueshme dhe të sigurt, për një kontroll të menjëhershëm dhe efikas të aktiviteteve që ndodhin në çdo degë doganore.

 

Sipas dokumentit, ky projekt do të kontribuojë në përmirësimin e efikasitetit të Administratës Doganore Shqiptare, duke përforcuar dhe zgjeruar sistemin e video-survejimit./Scantv


Më të lexuarat