Secondary Adv

Draftstrategjia e administratës: Do rishikohet struktura e pagave dhe puna nga shtëpia

Qeveria pranon se tashmë pas rritjes së pagave në administratë ajo ku do të mbahet fokusi në vijim është rishikimi i strukturës së saj në referencë të ligjit “Për nëpunësin civil”.

Në “Draft Strategjia Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike 2024-2030” nënvizohet disa aspekte të lidhura me trajtimin financiar të punonjësve.

 

“Në drejtim të përmirësimit të shpërblimit financiar, do të vijojë adresimi i elementeve të tjera të reformës së pagave. Krahas rritjes së pagave në vlerë tashmë të realizuar, do të ndryshohet edhe struktura e pagës përmes ndryshimit të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, duke integruar në shpërblimin financiar edhe kritereve motivuese të performancës në punë.

 

Në përputhje me këtë qasje, procesi i vlerësimit të performancës individuale të nëpunësve do të rishikohet dhe do të zbatohet praktikisht, duke u harmonizuar me objektivat e përgjithshme të performancës institucionale”, thuhet në draft.

 

Po kështu sipas dokumentit synohet që institucionet të jenë sa më transparente për shpërblimin financiar duke e bërë kështu atë një instrument për të tërhequr pranë vetes individë për plotësimin e vakancave.

 

“Përmirësimi i transparencës në shpërblimin financiar të nëpunësve publikë do të jetë një tjetër drejtim i rëndësishëm i masave drejt ndërtimit të një administrate të drejtë dhe të besueshme. Ndërhyrjet do të përfshijnë jo vetëm komunikimin e qartë dhe të detajuar të pagave dhe përfitimeve periodikisht për secilin punonjës, por edhe përfshirjen e informacionit të saktë mbi pagën e pritshme në njoftimet për aplikimet për vendet vakante.

 

Kjo masë do të ndihmojë në tërheqjen e kandidatëve më të mirëinformuar për pozicionin e punës, do të rrisë besimin në procesin e rekrutimit dhe do të promovojë edhe më tej kulturën e transparencës dhe llogaridhënies në administratën publike” nënvizon drafti.

 

Administrata punë nga shtëpia

Një tjetër element që sjell draftstrategjie duket se lidhet me kombinimin e punës nga zyra dhe shtëpia për pozicione të caktuara në administratë.

 

“Për të vijuar rritjen e motivimit të nëpunësve publikë, do të zbatohet një model i punës hibride (mes punës në zyrë dhe asaj në distancë), me modalitete të mirëpërcaktuara për të garantuar zbatimin e tij efikas.

 

Gjithashtu, do të vijohet me konsolidimin e punës fleksibël që është në zbatim prej gushtit 2024, si një mekanizëm i rregullt dhe lehtësisht i aplikueshëm që synon balancën më të mirë mes jetës profesionale dhe asaj personale për nëpunësit publikë.

 

Në po të njëjtin drejtim, do të vlerësohet edhe mundësia për të minimizuar orarin e punës për disa institucione/pozicione specifike, me qëllim tërheqjen e personave nga sektori privat që nuk mund të punësohen me kohë të plotë në administratë, si dhe të kategorive të tjera të personave që nuk mund të angazhohen sipas orarit standard” thuhet në dokument.

 

/Monitor (https://monitor.al/draftstrategjia-e-administrates-do-rishikohet-struktura-e-pagave-dhe-perfshirja-e-punes-nga-shtepia/)


Më të lexuarat