Doganat mbledhin 13 mln euro shtesë për Janarin, rriten ndjeshëm importet e mallrave të akcizës
Doganat e kanë nisur vitin 2025 me perfomancë pozitive sa i takon të ardhurave të mbledhura.
Referuar të dhënave zyrtare, për muajin Janar janë arkëtuar 16.4 miliardë lekë apo 164 milionë euro në total. E thënë ndryshe administrata doganore ka tejkaluar planin për periudhën, me një nivel realizimi në 100.5 %.
Krahasuar me muajin Janar 2024, rezulton të jenë arkëtuar 1.3 miliardë lekë apo 13 milionë euro më shumë.
Importi i mallrave të akcizës ka dhënë kontributin kryesor në realizimin e të ardhurave.
Konkretisht për muajin Janar, janë importuar 8100 ton më shumë karburante se Janari 2024, importi i birrës është rritur me 1300 ton në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po ashtu regjistrohet rritje e importit të kafesë me 130 ton dhe e cigareve me 11 ton më shumë.
Kjo perfomancë vjen si rrjedhojë e rritjes së fluksit të turistëve në vendin tonë, kryesisht në dy vitet e fundit dhe jo vetëm në sezonin veror, por përgjatë gjithë vitit, si dhe rritjes së konsumit në tërësi.
Po ashtu lëvizjet e shumta të qytetarëve gjatë fundjavave për të shfrytëzuar destinacione malore dhe jo vetëm, favorizuar edhe nga koha e mirë, kanë ndikuar në rritjen e këtij konsumi.
Të ardhurat nga akciza në 11 mujorin 2024, pasi ende nuk janë publikuar statistikat vjetore, anë realizuar në masën 57.8 miliardë lekë, 4.8 miliardë lekë ose 9.1% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023./Scantv