Depozitat në euro shënojnë rritjen më të ulët që nga pandemia, preferohen kursimet në lekë
Në fund të vitit 2024, në banka qytetarët dhe bizneset kishin të depozituara në monedhën vendase 629 miliardë lekë.
Krahas tyre në euro, që përbën peshën më të madhe të kursimeve në valutë ishin depozita prej 8 miliardë eurosh. Statistikat janë bërë publike nga banka e Shqipërisë.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur kursimet në euro rriteshin me shpejtësi, ndërsa ato në lekë ishin pothuajse në stanjacion për shkak të normave të ulëta të interesit, në 2024-n, kursimet në monedhën vendase janë bërë sërish të preferuara.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në 2024-n, depozitat në lekë u rritën me 8.4%, ose 50 miliardë lekë më shumë.
Një vit më parë zgjerimi kishte qenë 5%, ose 27 miliardë lekë më shumë, ndërsa në 2022-n tendenca kishte qenë negative. Kjo është rritja më e madhe që nga vitit 2020, kur kursimet në lekë u shtuan me 51 miliardë lekë, si rrjedhojë e pamundësisë për të shpenzuar gjatë periudhës së pandemisë.
Në 2024-n, ndikimin kryesor në rritjen e kursimeve në banka e dhanë individët që shtuan kursimet me 31 miliardë lekë, në formën e depozitave pa afat. Hovi i kursimeve në monedhën vendase u përshpejtua dukshëm në dhjetor, (+24 miliardë lekë), një periudhë kjo që tradicionalisht shoqërohej me shtim të kursimeve në valutë për shkak të prurjeve të remitancave.
Ngadalësohen kursimet në euro
Vitet e fundit, euro ishte bërë monedhë e preferuar për kursimtarët. Edhe në 2024-n kjo tendencë ka vijuar, por me ritme më të ngadalësuara. Në 2024-n, depozitat në valutë u rritën me 10%, ose 744 milionë euro më shumë.
Një vit më parë, ndryshimi kishte qenë 15.5%, ose gati 1 miliard euro më shumë. Në 2024-n, ndikimin kryesor në këtë rritje e dhanë depozitat me afat, kryesisht individët.
Në dhjetor depozitat me afat në euro u rritën me 36 milionë euro, ndërsa në gusht po të 2024-s, periudha tjetër kur ka efekte sezonale nga remitancat e turistët, rritja kishte qene 292 milionë euro.