Secondary Adv

Sejko: Bujqësia 4 herë më pak e kredituar nga bankat, program për financimin e këtij sektori

Bujqësia nuk ka arritur të ndjekë ritmin pozitiv të rritjes së ekonomisë shqiptare në dekadën e fundit.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi sot gjatë një takimi me sektorin bankar, se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive gjatë dekadës së fundit.

 

Në këtë hark kohor, vëllimi i aktivitetit ekonomik në terma realë është rritur me 39%, ndërsa të ardhurat mesatare për frymë janë rritur me 58%.

 

Në terma nominalë, ekonomia shqiptare ka kaluar nga një ekonomi prej rreth 10 miliardë eurosh në vitin 2014, në një ekonomi prej pothuaj 25 miliardë eurosh në vitin 2024. Kjo rritje ekonomike ka gjeneruar rritje të punësimit, të pagave dhe të mirëqenies së shoqërisë shqiptare. Në të njëjtën kohë, parametrat kryesorë të shëndetit ekonomik dhe financiar të vendit: inflacioni, borxhi publik, borxhi i huaj, kreditë me probleme dhe bilancet e sektorit bankar, kanë ardhur në përmirësim.

 

Megjithatë, sipas tij, këto tendenca pozitive zhvillimi nuk janë kudo uniforme.

 

“Më konkretisht, sektori bujqësor ka performancën më të dobët ndër sektorët madhorë të ekonomisë shqiptare, ecuri e cila diktohet nga disa probleme strukturore, ku veçoj: fragmentarizimin e tokës, nivelin e ulët të mekanizimit, si dhe integrimin e pakët horizontal dhe vertikal midis fermerëve, tregut dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë.

 

Në të njëjtin plan, kredia për sektorin bujqësor përbën më pak se 2% të kredisë bankare për bizneset. Ecuria ende larg dëshirës dhe nevojave që sektori bujqësor ka për kredi, pasqyron si realitetin e rrezikut që mbart kreditimi i këtij sektori, si pasojë e natyrës së aktivitetit, e problemeve të tij strukturore, si dhe e mungesës së kolateralit, ashtu edhe kostot e larta të kreditimit.

 

Megjithatë, rritja e vëmendjes suaj ndaj kreditimit të tij është një çështje me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit. Studimet e kryera në këtë drejtim, kanë evidentuar se kreditimi i sektorit bujqësor ka një impakt dy herë më të madh në reduktimin e varfërisë krahasuar me kreditimin e sektorëve të tjerë të vendit,” tha Sejko.

 

Sektori bujqësor punëson rreth një të tretën e forcës punëtore të vendit dhe gjeneron rreth 20% të prodhimit kombëtar. Megjithatë, Guvernatori tha se, edhe pas tre dekadash tranzicion, ai vijon të karakterizohet nga një nivel i ulët produktiviteti dhe të ardhurash. Për ilustrim, e ardhura mesatare për frymë në zonat rurale është afërsisht sa 50% e të ardhurës mesatare për frymë në zonat urbane.

 

Problemet e zhvillimit të sektorit bujqësor janë komplekse dhe – në pjesën më të madhe të tyre – kanë të bëjnë me dobësi strukturore të sistemit të prodhimit dhe të zinxhirit tregtar që nxjerr produktet në treg. Megjithatë, sipas tij, nuk mund të mohohet se një ndër problemet kronike me të cilin është përballur ky sektor ka qenë dhe mbetet aksesi i tij i pakët në financim.

 

Guvernatori u shpreh se se nisma e fundit e Bankës së Shqipërisë për miratimin dhe vënien në zbatim të një Programi Financimi për biznesin mikro, të vogël dhe të mesëm, ofron një mundësi për hapjen e një kapitulli të ri në kreditimin e sektorit bujqësor.

 

“Duke përfituar nga rasti, më lejoni të theksoj se Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një fond prej 25 miliardë lekësh të destinuar për të mbështetur kreditimin e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme.

 

Ky program, i cili do të vihet në zbatim nëpërmjet bankave tregtare, ofron mundësi për uljen e ndjeshme të kostos së kredisë për këto biznese, e cila mund të arrijë edhe deri në 2%, por gjithsesi, nuk do të kalojë nivelin e 3.5%, duke iu krijuar atyre mundësi të investojnë në asete fizike, mjete kapitale apo platforma teknologjike, të cilat i shërbejnë rritjes së produktivitetit. Gjithashtu, dëshiroj të sqaroj se fondi ynë do të vihet në dispozicion të bankave tregtare, të cilat – nëpërmjet procesit të tyre të seleksionimit dhe me rrezikun e tyre – do ta kanalizojnë atë në kredi për bizneset,” tha Sejko.

 

Sipas tij, kjo masë e jashtëzakonshme e Bankës së Shqipërisë përbën një oportunitet të rëndësishëm për nxitjen e kreditimit ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme në përgjithësi, dhe të atyre që operojnë në sektorin e bujqësisë në veçanti. Ky orientim mund të përfitojë më tej nga programe mbështetëse në formën e skemave të ndarjes së rrezikut nga qeveria, për të cilat besoj do të diskutohet në vijim në këtë tryezë.

 

/Monitor (https://monitor.al/sejko-kreditimi-i-bujqesise-ka-ndikim-dy-here-me-te-larte-ne-uljen-e-varferise/)


Më të lexuarat