Plotësohen terminet për 2025, qytetarët e Kosovës s’mund të aplikojnë për viza pune në Gjermani
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, për vetëm dy javë ka pranuar mbi tetë (8) mijë kërkesa për të punuar në Gjermani.
Punëtorët nga Kosova që dëshirojnë të punojnë në Gjermani përmes Rregullores për Ballkanin Perëndimor nuk do të mund të aplikojnë më për viza pune gjatë vitit 2025, pasi kontingjenti vjetor i termineve është plotësuar për më pak se një muaj.
Agjencia e Punësimit në Gjermani ka njoftuar në webfaqen zyrtare se numri i aplikimeve për punëtorët e pakualifikuar nga Kosova për vitin 2025 është mbushur dhe se aplikimet e radhës do të pranohen për vitin 2026.
Programi i qeverisë gjermane për punëtorët e pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor parasheh pranimin e 50,000 aplikimeve çdo vit nga ky rajon, me secilin vend me një kuotë të caktuar.
Për vitin 2025 kjo kuotë është përmbushur nga Kosova për rreth një muaj, në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
Aplikimet janë duke u përpunuar që nga 9 korriku i 2024-tës.
Ata që aplikojnë si të pakualifikuar duhet të plotësojnë disa kushte:
Puna që bëni në Kosovë të jetë e njëjtë me atë që do të bëni në Gjermani
Duhet të ketë kontratë pune ose ofertë pune nga punëdhënësi në Gjermani
Rroga e ofruar duhet të mbulojë kostot e jetesës dhe kërkesat e tjera për vizë
Personi duhet të jetë nga një prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor
Personi nuk ka përfituar për disa muaj nga “Akti Gjerman i Përfitimeve të azilkërkuesve”.
Për punonjësit mbi 45 vjeç, për të cilët presin miratimin nga Agjencia Federale e Punësimit për herë të parë, vlen e mëposhtmja: Personi duhet të marrë pagë bruto vjetore prej 55 për qind të kufirit të vlerësimit të kontributeve vjetore në skemën e sigurimeve të pensioneve të përgjithshme. Pra për vitin 2025 paga duhet të jetë 53,130 euro në vit, ose të ofrojë provë të sigurimeve të mjaftueshme për pension.
Është bërë me dije se Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, për vetëm dy javë ka pranuar mbi tetë (8) mijë kërkesa për të punuar në Gjermani.
Për vendet e tjera: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë akoma ka vende të lira.
Për të gjitha gjashtë vendet parashikohet një kontigjent prej 50 mijë viza pune. Secili vend e ka kontigjenin e vetë, e për Kosovën është plotësuar kuota për më pak se një muaj.