423 mld lekë cash qarkulluan jashtë bankave në 2024, shifra më e lartë në 22 vite
Paraja jashtë bankave regjistroi një tjetër rekord gjatë vitit të kaluar.
Rreth 4.2 miliardë euro thotë Banka e Shqipërisë qarkulluan në cash deri në fund të vitit 2024, me rritje të fortë prej 300 milionë euro në raport me vitin 2023.
Kjo ‘traditë’ e pagesave me lekë në dorë i hap shtigje informalitetit, e bën më të vështirë luftën ndaj pastrimit të parave duke ndikuar negativisht në ekonomi, pasi qarkullimi i parasë është i pakontrolluar.
Për këto arsye Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë nisur punën për të kufizuar pagesat me para nën dorë, si një zgjidhje për të ulur qarkullimin e parasë jashtë bankave në vend.
Në strategjinë afatmesme të të ardhurave 2024-2027, Ministria e Financave thotë se brenda vitit 2026, do të caktohet një limit për pagesat cash, si dhe do të ulet edhe tavani që ekziston aktualisht për bizneset që është në vlerën 150 mijë lekë, pra do të jetë një vlerë më e ulët.
Gjatë vitit të shkuar Shoqata e Bankave propozonte që tavani i lejuar i pagesave me para në dorë të jetë 700 euro si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.
Për të ulur pagesat në cash qeveria dhe Banka Qendrore do të vijojnë të nxisin pagesat elektronike, si ulja e komisioneve bankare apo promovimi i edukimit financiar. ‘Lufta’ ndaj parasë cash bëhet për të ulur informalitetin, për të reduktuar fenomenin e pastrimit të parave, dhe do të shoqërohet edhe me hetime për justifikimin e pasurisë, pasi shpesh pas pagesave me para në dorë fshihen edhe burimet e paligjshme të pasurisë.