Secondary Adv

560 mijë vizitorë të huaj në janar, Kumbaro: Rreth 14,5 për qind më shumë se viti i kaluar

Gjatë muajit janar, në Shqipëri kanë ardhur gjithsej 560 mijë vizitorë të huaj.

Në krahasim me janarin e vitit të kaluar, vërehet një rritje me 14,5% e numrit të vizitorëve ose gati 3 herë më shumë se 4 vite më parë.

 

Sipas Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, më shumë se gjysmë milioni vizitorë të huaj vetëm në muajin e parë të vitit, tregojnë se Shqipëria e ka lënë pas turizmin sezonal dhe ka konsoliduar një kapitull të ri në turizmin e qëndrueshëm ku po vizitohet nëpër bujtina, shtigje malore, ngjitje majash, qytete historike, muze e kështjella, ndërsa në katër vitet e ardhshme do të jetë kampione e Ballkanit në këtë industri.

 

Në 2024, Shqipëria përjetoi një boom turistik, boom i cili duket se do të vazhdojë edhe gjatë 2025-ës. Vitin e shkuar, numri i vizitorëve të huaj arriti në 11.7 milionë, një rritje me 15.2% vlerësuar me vitin 2023.

 

Edhe mbërritjet ndërkombëtare të turistëve kanë pasur një rritje me 80%, duke tejkaluar kështu destinacione të njohura si Arabia Saudite, Egjipti, Japonia, apo Turqia. Viti 2024 shënoi një rritje të konsiderueshme të turistëve nga Evropa Perëndimore, si Italia, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe.

 

Edhe në buxhetin e 2025, turizmit i është kushtuar një vëmendje më e madhe, teksa ka një rritje me 306 milionë lekë, ose 7.9% në krahasim me buxhetin e vitit 2024.

 

Janar 2022 - 194 mijë

Janar 2023 - 377 mijë

Janar 2024 - 489 mijë

Janar 2025 - 560 mije

/Scan


Më të lexuarat