Kreditë me probleme zbresin në 4.17 për qind, niveli më i ulët historik
Norma e kredive me probleme ka prekur nivelin më të ulët që prej marsit 2014.
Shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë mbi shëndetin financiar të sektorit bankar tregojnë se norma e kredive me probleme ka prekur nivelin më të ulët që prej marsit 2014, periudhë nga e cila BSH disponon të dhëna.
Gjatë dhjetorit 2024, ky tregues zbriti në 4.17%, nga 4.48% që ishte në nëntor, duke shënuar rënien mujore më të madhe që prej janarit të të njëjtit vit. Në një këndvështrim vjetor, norma e kredive me probleme ka rënë me 0.57 pikë përqindje, duke reflektuar përmirësim të mëtejshëm të cilësisë së huadhënies.
Analiza e “Scan Intel” mbi të dhënat financiare tregon se edhe raportet e tjera të kreditimit kanë ndjekur të njëjtën tendencë rënëse. Konkretisht, raporti i huave me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit rregullator zbriti në 4.38%, ndërsa raporti i huave me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit aksioner ra në 3.86%.
Nga ana tjetër, depozitat, kreditë dhe totali i aktiveve kanë shënuar rritje, ndërkohë që huatë me probleme kanë vazhduar rënien, duke arritur një rekord të ri minimal prej 4.17%. Konkretisht, totali i aktiveve të sektorit bankar ka prekur nivelin më të lartë historik, duke arritur në 2.09 trilionë lekë ose rreth 21.16 miliardë euro me një rritje të qëndrueshme gjatë gjithë vitit 2024.
Siç ishte parashikuar, rënia e vazhdueshme e huave me probleme jo vetëm që sinjalizon një sektor bankar të shëndetshëm, por gjithashtu reflekton përmirësimin e aftësisë paguese të individëve dhe bizneseve për të përmbushur detyrimet e tyre ndaj kredive të marra nga institucionet financiare, sidomos bankat. /Scan