Çmim i favorshëm energjie për ujësjellësit, ERE miraton tarifat për 2025
Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar çmimet me të cilët do ta paguajnë energjinë elektrike ujësjellësit.
Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar çmimet me të cilët do ta paguajnë energjinë elektrike ujësjellësit që furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit gjatë vitit 2025, duke mbajtur në fuqi tarifat preferenciale të vitit të kaluar.
Sipas vendimit, kompanitë që janë të lidhura në tensionin 35 kV do të tarifohen me 9.33 lekë/kWh, ndërkohë që për shoqëritë që janë në tensionin 20, 10 dhe 6 kV, çmimi do të jetë 11.77 lekë/kWh.
Aplikimi i çmimeve preferenciale për shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve nisi në vitin 2023, pas një kërkese të bërë pranë KESH, nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë, mbi nevojën e shoqërive UK për aplikimin e tarifimit të veçantë me qëllim garantimin në aspektin financiar të veprimtarisë së shoqërive të UK, përfshirë rikuperimin e borxhit.
Në atë kohë u kërkua që ulja e tarifave të energjisë elektrike të pasohej me rekuperimin e borxhit që këto kompani kanë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Aktualisht, sipas të dhënave të fundit të disponueshme, vlera e faturave të palikujduara deri në tetor 2024 arrin në rreth 19.7 mld lekë. /Scan