Arrestohet me kërkesë të SPAK, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
Arrestohet kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Agjentët e BKH-së u paraqitën sot në mesditë rreth orës 14:00 në ambientet e zyrave të bashkisë së Tiranës për t'i komunikuar vendimin e GJKKO-së 'arrest me burg' dhe shoqërimin e tij. Më pas ai është shoqëruar në makinë për tu dërguar në bllokun e sigurisë, në rrugën Mine Peza".
Burimet nga GJKKO bëjnë me dije se me kërkesë të SPAK, GJKKO ka firmosur në total 5 masa sigurie, nga të cilat 3 me 'detyrim me paraqitje', arrest shtëpie’ për Ajola Xoxën dhe 'arrest me burg' për Erion Veliajn.
Dosja ndaj Veliajt po hetohet nga Olsi Dado.
Ndërkohë kryeministri Rama ka anuluar takimet që kishte parashikuar ditën e sotme, 10 shkurt, në Shkodër.
Si nisi hetimi?
Akuza e SPAK bazohet mbi kallëzimin e personit anonim, Nesti Angoni. Kallëzimi u dërgua me postë në SPAK. Nisur nga kjo u regjistrua dosja në hetim por nuk ishte regjistruar emri i kryebashkiakut si person nën hetim.
Në dhjetor 2024 Kryebashkiaku i Tiranës dëshmoi para agjentëve të BKH-së si person që kishte në lidhje me veprën penale të korrupsionit pasiv, ndërkohë që kishte nisur dhe hetim pasuror.
Më 6 dhjetor 2024 SPAK sekuestroi telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Me vendim të GJKKO kontrolle u kryen dhe në studion ‘Harabel’ tek ish-Blloku ku u sekuestruan dhe dokumente që kanë të bëjnë me hetimet e nisura nga prokurori Ols Dado, në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.
Ndërkohë, kujtojmë dhe katër akuzat për të cilat kryebashkiaku Veliaj po hetohej nga Prokuroria e Posaçme.
Në një njoftim të bërë më herët SPAK njoftoi se qytetari i parë i Tiranës dyshohet se ka konsumuar katër vepra penale që janë:
-Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë;
- Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë;
-Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
-Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim. /Shqiptarja