Shtohen anëtarët në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, 36 subjekte të listuar në ALPEX
Rreth 2 vjet nga nisja e operimeve Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike numëron 36 kompani të listuara për tregun e ditës në avancë.
Të dhënat raportohen nga ALPEX duke treguar ecurinë e tregut të organizuar të energjisë. Kompanitë kryejnë transaksione të shit – blerjes për 2 zonat ofertuese të Shqipërisë dhe Kosovës, pas bashkimit të tregjeve që u shënua në muajin shkurt të vitit 2024.
Sipas ALPEX këto kompani janë regjistruara për transaksionet që kryhen për tregun e ditës në avancë, ndërkohë që 11 prej tyre janë të regjistruara edhe për tregun e ankandeve brenda së njëjtën ditë.
Operimi i Tregut të Ankandeve Brenda së Njëjtës Ditë, midis Shqipërisë dhe Kosovës si bashkim tregjesh nisi në dhjetor të vitit 2024, pasi deri në atë kohë zhvilloheshin ankandet e ditës në avancë.
Vetë ALPEX e konsideroi nisjen e zhvillimit të ankandeve brenda së njëjtës ditë një arritje dhe hap të rëndësishëm përpara në tregun rajonal të energjisë elektrike, duke forcuar tregtinë ndërkufitare dhe integrimin e tregjeve.
Funksionimi i bursës paraqet një sërë avantazhesh, që lidhen me çmimet konkurruese, si dhe ofron një sinjal transparent të çmimeve për investime në energji. Ndërkohë që rritja e numrit të anëtarëve është një kërkesë edhe e Sekretariatit të Komuniteti të Energjisë./Scantv