Në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, u shqyrtua pr/ligji “Për Paketën e Maleve”, që synon zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetesës në 100 fshatra malorë.
Në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, u shqyrtua projektligji “Për Paketën e Maleve”, i cili ka si qëllim kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në 100 fshatrat malore të Shqipërisë, duke krijuar mundësi për investime dhe punësim.
Zv.ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Sokol Duma, theksoi rëndësinë e këtij projektligji për pasuritë shtetërore që ndodhen në këto zona malore, të cilat janë aktualisht të pushtuara nga subjekte private pa titull pronësie.
Duma sqaroi se kalimi i pronësisë për këto pasuri do të bëhet me një tarifë simbolike prej 1 euro dhe certifikata e pronësisë do të jepet vetëm pasi të përfundojë projekti i zhvillimit. Ky proces do të ndihmojë që këto pasuri të shfrytëzohen për qëllime zhvillimi dhe për të sjellë investime në këto zona.
Në interesim të deputetëve të opozitës në komision nëse ky pr/ligj vjen i mbivendosur me pr/për investimet strategjike, Duma shpjegoi se paketa e maleve i adresohet poseduesve të tokës që nuk janë pronarë të tokës, të cilët mund të bëjnë investime që me ligjin e investimeve strategjike nuk arrijnë t’i bëjnë dot.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që përmban projektligji është përjashtimi i 500 investitorëve të parë që do të kontribuojnë në zhvillimin e këtyre zonave malore nga katër taksa të rëndësishme.
Këto përjashtime përfshijnë tatimin mbi fitimin, taksën për infrastrukturën, taksën për pasuritë e paluajtshme dhe TVSH-në për një periudhë 10 vjeçare, një hap që synon të nxisë investimet në këto zona të pasura me mundësi zhvillimi.
Në një deklaratë të bërë më herët në tetor 2024, Kryeministri Edi Rama theksoi se kjo paketë është gjithashtu një mundësi për të mbështetur investimet turistike, duke ofruar mundësi për ata që kanë pasuri të braktisura në zonat malore për shkak të emigracionit dhe lëvizjes drejt qyteteve, për t’i shndërruar ato në pasuri turistike. Kjo është një mundësi për të kthyer shtëpitë e braktisura në atraksione turistike, duke kontribuar në zhvillimin e turizmit dhe në rritjen e punësimit në këto zona.
Pas shqyrtimit në Komision, projektligji tani do të kalojë për miratimin përfundimtar në Kuvend, dhe pritet që të nisë një fazë e re zhvillimi për këto 100 fshatra malore, duke ofruar mundësi të reja për investitorët dhe banorët e këtyre zonave./Monitor (https://monitor.al/malet-me-1-euro-zbresin-ne-fushen-e-kuvendit/)