Mundësi investimi, Javën e ardhshme zhvillohet ankandi i obligacioneve 15-vjeçare
Ministria e Financave do të zhvillojë javën e ardhshme ankandin e ri të obligacioneve 15 vjeçare.
Shuma e planifikuar e emetimit të obligacioneve për ankandin e datës 17 shkurt është 2 miliardë lekë. Norma e kuponit indikativ të paraqitur para ankandit është 5.7%.
Yield-i i këtyre instrumenteve ka ardhur në rënie gjatë vitit të kaluar, ashtu siç ka ndodhur në përgjithësi me të gjitha instrumentet e borxhit të qeverisë.
Në ankandin e fundit, që u zhvillua në nëntor 2024, yield-i uniform i pranuar për obligacionet 15-vjeçare zbriti në 6.41%, nga 6.98% në ankandin e mëparshëm, që ishte zhvilluar në muajin gusht.
Ankandi i obligacioneve 15-vjeçare vjen në vijim të ankandit të parë të obligacioneve 20-vjeçare, që u mbajt në fund të muajit janar. Në këtë ankand, yield-i uniform i pranuar dhe kuponi i obligacionit rezultuan në nivelin 6.78%, poshtë kuponin referencë prej 7% të paraqitur para ankandit nga Ministria e Financave.
Në vitet e fundit, Ministria e Financave po hedh hapa në drejtim të zgjatjes së maturitetit maksimal të instrumenteve të huamarrjes së brendshme. Obligacionet afatgjata janë një alternativë e mirë për ata investitorë që administrojnë portofole afatgjata dhe që kërkojnë kthime më të larta.
Ato janë ndër instrumentet më të lakmuara për investitorë të veçantë institucionalë, si fondet private të pensioneve. Megjithatë, ato mund të jenë një alternativë e mirë për të diversifikuar portofolin e investimeve edhe për investitorët individualë.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për vitin e kaluar blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve ranë në 28.5 miliardë lekë, në rënie me 23.9% krahasuar me vitin 2023. Në veçanti, investimi në obligacione u tkurr në 5.8 miliardë lekë, 26.3% më pak krahasuar me vitin 2023, kryesisht sirezultat i rënies së mëtejshme të yield-eve gjatë këtij viti.
Pjesëmarrja në ankandet e obligacioneve mund të bëhet nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj. Bankat e licencuara për këtë shërbim aktualisht janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.
Shuma minimale e pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve në 300 mijë lekë.
Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand.
Kërkesat jokonkurruese pranohen me yield-in mesatar të kërkesave të pranuara konkurruese./Monitor(https://monitor.al/mundesi-investimi-javen-e-ardhshme-zhvillohet-ankandi-i-obligacioneve-15-vjecare-3/)