Secondary Adv

Drejtoria e Pastrimit te Parave: Kemi bllokuar 45 milione euro

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave reagoi sot ndaj qëndrimeve mediatike të faktorëve të ndryshëm politik dhe institucional, lidhur me pozicionin e këtij institucioni në raport e bashkëpunim me institucionet e verifikimit që do të konstituohen në kuadër të reformës në drejtësi, të cilët e kanë vlerësuar si të pamjaftueshme performancën dhe veprimin konkret të kësaj Drejtorie.

 

“Në funksion të informimit të publikut, përtej qëndrimeve personale apo institucionale dhe konsumit politik të faktorëve të ndryshëm, e çmojmë të domosdoshme të bëjmë me dije se veprimi konkret i DPPP, si Njësi e Inteligjencës Financiare për grumbullim, analizim dhe shpërndarje të informacionit për raste të dyshuara për pastrim parash apo financim terrorizmi, si dhe bashkëpunim ndërkombëtar me njësitë e inteligjencës në mbarë botën, është shumë i suksesshëm”, thuhet në një njoftim për shtyp të DPPP-së.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave sjell në vëmendje faktin se në periudhën nga 2014 e në vijim ka bllokuar 45 milionë euro në llogaritë bankare të personave të dyshuar, që përfaqëson një rritje të pakrahasueshme (rreth 6 herë) me gjithë periudhën e mëparshme të funksionimit të këtij institucioni të marra së bashku (13 vjetë), që janë bllokuar vetëm 8 milionë Euro.

 

“Arritjet e këtij institucioni janë certifikuar edhe nga organizmat ndërkombëtarë monitorues, konkretisht nga progres raportet radhazi të BE, por edhe institucione të tjera prestigjioze ndërkombëtare, sikurse është Instituti i Bazelit mbi Qeverisjen (Basel Institute on Governance), i cili në raportin e vitit 2016 ‘Index AML 2016’ për vlerësimin e 149 vende sipas nivelit të riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, e klasifikon Shqipërinë ndër 10 vendet që kanë shënuar përmirësimin më të madh në rang botëror, duke e renditur të katërtën”, vijon njoftimi.


Pikërisht mbi bazë të këtyre arritjeve, DPPP thekson se Këshilli e Europës konfirmoi në shtator 2015, efikasitetin e masave të ndërmarra nga autoritetet shqiptare dhe vendosi nxjerrjen e Shqipërisë nga lista e vendeve nën monitorim për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, në të cilën gjendej që prej vitit 2011 pas raundit të 4-t të vlerësimit nga Komiteti Moneyval i KiE.

 

“Në vitin 2017 fillon vlerësimi i radhës i Shqipërisë nga ky organizëm (Komiteti Moneyval), për rrjedhojë goditja e institucioneve sikurse është Njësia e Inteligjencës Financiare Shqiptare nga aktorë të rëndësishëm institucional në vend në funksion të betejave politike të ditës, vlerësojmë se jo vetëm dezinformon opinionin publik, por dëmton rëndë interesat kombëtare dhe veçanërisht procesin e radhës së vlerësimit të Republikës së Shqipërisë”, përfundon njoftimi për shtyp.


Më të lexuarat