FMN vlerëson pozitivisht Doganat, rritje të konsiderueshme e të ardhurave
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar me nota të larta progresin e Administratës Doganore për vitin 2024, siç citon FMN, “solli arritje të konsiderueshme në vjeljen e të ardhurave për mallrat e akcizës”.
Sipas raportit të asistencës teknike për Administratën Doganore, treguesit kryesorë përfshijnë:
-Rritje 3 për qind e peshës së produkteve të importuara.
-Rritje 9,3 për qind e totalit të tatimeve të vjela.
-Rritje 8,1 për qind e detyrimeve të akcizës, nxitur nga ndryshimet legjislative në nivelet e tatimit për produktet kryesore.
-Rritje 8,7 për qind e vjeljes së TVSH-së.
Gjatë këtij misioni, eksperti punoi ngushtë me drejtuesit e DPD-së, përfshirë z. Genti Gazheli, Drejtor i Përgjithshëm dhe pati diskutime edhe me zyrtarë të DPD-së të specializuar në analizën e rreziqeve, kontrollin aposteriori, operacionet e drejtorisë së akcizës etj.
Rezultatet e misionit synojnë të mbështesin drejtpërdrejt përgatitjen e një plani realist për përmirësimin e përmbushjes së detyrimeve të akcizës për vitin 2025, për ta fuqizuar më tej kapacitetin DPD-së për të realizuar planin e të ardhurave dhe për të zbatuar në mënyrë efektive Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave.
Ekspertët e FMN shprehënn mirënjohjen drejtuesve dhe punonjësve të DPD-së për angazhimin e tyre aktiv, për shkëmbimin e njohurive dhe për pyetjet konstruktive, çka pasqyron angazhimin e tyre të fortë për përmirësimin e administrimit doganor.
Sipas raportit, DPD ka bërë hapa të mëdhenj sa i takon përmirësimit të kuadrit të administrimit të rreziqeve, me përditësime vjetore të profileve të rrezikut dhe mbikëqyrjes strategjike nga ana e Komitetit të Menaxhimit të Riskut./Scantv