Secondary Adv

Gazi në Povelçë, EDG kërkon lejë për shpime të reja: Ka tregues për potencial të pashfrytëzuar

EDG Natural Gas sh.p.k që ka një marrëveshje me kompaninë publike Albeptrol ka kërkuar lejë për të kryer një tjetër shpim në Povelçë lidhur me zbulimin dhe shfytëzimin e gazit.

Në dokumentin që i është paraqitur autoriteteve kompania pranon se shpimi i mëparshëm ka treguar se ka potencial të pashfytëzuar.

 

“Projekti konsiston në rehabilitimin e puseve ekzistuese të marrë në dorëzim dhe shpimin e një pusi të ri vlerësues, të emërtuar Pov-32/b, në pjesën veriore të vendburimit ku janë kryer shpime të kufizuara të cilat kanë treguar potencial të pashfrytëzuar.

 

Pusi i ri është projektuar 340m në lindje të pusit Pov-32, i cili ka dhënë shenja gazi apo debite jo komerciale gazi. Thellësia e parashikuar e shpimit të ri është rreth 2400m, përafërsisht e njëjtë me atë të puseve ekzistues. Më tej projekti parashikon vlerësimin e rezervave ekonomike dhe kalimin në fazën e prodhimit” thuhet në dokument.

 

Kompania pranon se projekti do të parashikohet të zbatohet në dy faza. Së pari rehabilitimi dhe përgatitja për shfrytëzim të 3  puseve ekzistuese dhe shpimin e një pusi të ri vlerësues në pjesën veriore të vendburimit. Gjatë vlerësimit, përcaktohet madhësia e depozitimeve gazmbajtëse dhe bëhet një përllogaritje për prodhimin e pritshëm.  Së dyti prodhimin e gazit natyror.

 

Marrëveshja

 

Shoqëria EDG Natural Gas sh.p.k. synon të prodhojë gaz natyror nga shfrytëzimi i vendburimit të gazit Povelçë. EDG është palë me Albpetrol sh.a. në Marrëveshjen Hidrokarbure “Për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin Povelçë”, miratuar me VKM nr.402 datë 09.06.2022 “Për miratimin e marrëveshjes hidrokarbure me ndarje prodhimi për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Povelçë, në Shqipëri, ndërmjet “Albpetrol” sh.a. dhe “EDG Natural Gas”sh.p.k”.

 

“Bazuar në dispozitat që rrjedhin nga kjo marrëveshje EDG ka marrë në dorëzim 3 puse ekzistues: Povelçë 1/b, Povelçë 9 dhe Povelçë 13, të cilët ndodhen në vendburimin Povelçë brenda zonës së projektit siç përcaktohet në Marrëveshjen Hidrokarbure. Këta puse, hapja e të cilëve daton që nga mesi i viteve ’80, janë shfrytëzuar në periudha të ndryshme dhe aktualisht janë në gjendje të mbyllur”

 

EDK Natural Gas është një kompani themeluar në vitin 2021 që në objekt aktivitetete në fushën e hidrokarbureve. Në përbërje të saj janë tre aksionerë ku PBE Investment me 50 për qind, IMPACTO COMMUNICATIONS me 10 për qind dhe ENERGY DEVELOPMENT GROUP me 40 për qind.

 

/Monitor (https://monitor.al/gazi-ne-povelce-edg-kerkon-leje-per-shpime-te-reja-ka-tregues-per-potencial-te-pashfrytezuar/)


Më të lexuarat