Hekurudha Rrogozhinë-Vlorë-Aeroport, tenderi mbyllet pa ankesa, i hapet rruga lidhjes së kontratës
Tenderi për studimin dhe hartimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Rrogozhinë-Vlorë është mbyllur pa ankesa.
Tenderi për studimin dhe hartimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Rrogozhinë-Vlorë, si dhe projektimin e vijës së re hekurudhore që do të lidhë aeroportin e Vlorës me qytetin e Vlorës është mbyllur pa ankesa, duke i hapur rrugë shpalljes së fituesit dhe lidhjes së kontratës.
Procedura prokuruese u hap në muajin dhjetor nga Hekurudha Shqiptare, teksa kompanitë kishin afat deri në datën 10 shkurt për dorëzimin e ofertave.
Kompania që do të fitojë tenderin do të duhet të hartojë një projekt zbatimi për një linjë hekurudhore elektrike me shpejtësi deri në 120 km/orë. Po ashtu, hekurudha duhet të jetë sipas standardeve të kategorisë UIC D4 me ngarkesë 22.5 ton për aks dhe ngarkesë gjatësore 8 t/m. Po ashtu, projekti do të mbajë në konsideratë dhe mundësinë e drejtimit të trenave me gjatësi prej 740 m dhe mundësinë për shkëmbimin e trenave.
Me hapjen e procedurës tenderuese u bë me dije se linja ekzistuese Rrogozhinë-Vlorë me gjatësi 84.27 km, funksionon nën kapacitetin optimal për shkak të infrastrukturës së vjetëruar dhe nevojës për përmirësime të thella. Ndërkohë që, ndërtimi i aeroportit të Vlorës krijon një mundësi të madhe për zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit dhe për këtë arsye, është e domosdoshme ndërtimi i një linje të re hekurudhore për të lidhur qytetin e Vlorës me këtë aeroport.
“Kjo lidhje do të garantojë transport efikas për pasagjerët dhe do të rrisë atraktivitetin e rajonit për investime dhe turizëm”, - thuhej ndër të tjera në dokumentet e tenderit.
Sipas afateve të përcaktuar gjatë hapjes së tenderit, projekt-ideja përfundimtare do të duhet të jetë gati brenda 12 muajve nga nënshkrimi i kontratës. Kjo do të thotë se duke marrë në konsideratë dhe hapat e tjerë deri në momentin e lidhjen e kontratës me kompaninë fituese, projekti që do i hapë rrugë tenderimit për zbatimin e punimeve do të duhet të jetë gati në pranverën e vitit 2026. /Scan