Një atraksion i ri turistik, FSHZH tender 168 milionë lekë për zip line në Berat
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur hapjen e tenderit për ndërhyrje në infrastrukturën turistike të aventurës, Zip line, parqe aventure.
Fondi limit i përllogaritur i këtij projekti është 168 milionë e 312 mijë lekë.
Sipas dokumentit të publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik, është propozuar ndërtimi i një Zip Line në liqenin e Roshnikut, një nga atraksionet më të veçanta të Shqipërisë. Ky liqen shquhet për ujërat e tij të pastra, peizazhin spektakolar të rrethuar nga lartësi malore dhe një biodiversitet të pasur, duke e bërë atë një destinacion ideal për dashamirësit e natyrës dhe turizmit ekologjik.
Dokumenti thekson se liqeni i Roshnikut ka një potencial të madh për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme, si shtigje ecjeje, stacione për vëzhgimin e shpendëve dhe zona edukative për vizitorët mbi rëndësinë e biodiversitetit, mund të kontribuojë në zhvillimin e turizmit duke ruajtur natyrën dhe mbështetur komunitetin lokal.
Zip Line do të jetë një instalacion aventuristik, i cili do të lidhë kullën e nisjes pranë fshatit—e vendosur në një pikë të lartë me pamje mahnitëse të liqenit—me platformën e mbërritjes. Ky projekt është konceptuar për t’u ofruar vizitorëve një eksperiencë emocionuese, duke kaluar nga maja e kullës, përmes liqenit, deri te platforma e mbërritjes.
Gjatësia totale e Zip Line do të jetë 840 metra. Platforma e nisjes do të vendoset në një lartësi dominuese mbi liqen dhe pranë rrugës kryesore të fshatit. Për të garantuar një përvojë të sigurt dhe të këndshme, sistemi do të ndërtohet sipas standardeve më të larta të sigurisë, duke përdorur materiale të forta dhe të qëndrueshme, si litarë rezistentë dhe sisteme të avancuara frenimi dhe mbajtjeje.
Ndërtimi i këtij Zip Line në liqenin e Roshnikut pritet të tërheqë turistë aventurierë dhe ta kthejë zonën në një destinacion të preferuar. Ky atraksion unik do të rrisë ndjeshëm numrin e vizitorëve, duke ndikuar pozitivisht në ekonominë lokale përmes rritjes së kërkesës për akomodim, restorante dhe shërbime të tjera, si dhe krijimit të vendeve të reja të punës. /Scan