Turizmi shtylla kryesore, ekonomia rritje 3.9 për qind deri në 2028
Ekonomia do të vijojë të rritet edhe përgjatë 3 viteve të ardhshme, ku turizmi, industria dhe ndërtimi do të kenë ndikimin kryesor pozitiv.
Në kuadrin makro-ekonomik 2026-2028 thuhet se bujqësia s’do të ketë ndikim në rritjen ekonomike. Pritet edhe stopim i punësimit për shkak të lëvizjeve negative demografike.
Turizmi do të jetë shtylla kryesore e ekonomisë deri në vitin 2028. Bazuar në pritshmëritë e qeverisë për vijim të bumit turistik shoqëruar edhe me më shumë të ardhura për buxhetin, në Kuadrin Makroekonomik 2026-2028 thuhet se turizmi do të ndikojë me 2.5% në rritjen ekonomike për çdo vit deri në fund të 2028-ës.
Pas turizmit është ndërtimi dhe industria që së bashku do të kontribuojnë me rreth 1% çdo vit në rritjen ekonomike, ndërsa ditë jo të mira po vijojnë për bujqësinë, që është një nga sektorët me peshën më të madhe në vend.
“Bujqësia pritet të rritet mesatarisht me rreth 0.3 përqind në vit në terma real përgjatë periudhës 2026-2028, duke mos kontribuar pothuajse fare në rritjen ekonomike”, thuhet në kuadrin makroekonomik.
Rritja ekonomike për trevjeçarin e ardhshëm parashikohet mesatarisht 3.9%, ndërsa janë caktuar objektiva optimiste sa i takon borxhit publik i cili pritet të ulet më tej në 52.1% të PBB-së në 2028-ën.
Ndërsa për tregun e punës, emigrimi dhe lëvizjet negative demografike nuk japin sinjale të mira. Në kuadrin makroekonomik thuhet se punësimi pritet të rritet me vetë, 0.1% gjatë kësaj periudhe ndërsa papunësia do vijojë rënien thotë Ministria e Financave.
“Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës, ndërkohë që trendet negative demografike (të vërejtura prej disa vitesh tashmë) pritet të vijojnë të kenë efekte shtrënguese si në ofertën për punë, ashtu edhe në numrat agregat të punësimit përgjatë periudhës afatmesme në vijim”, thuhet në dokument.
Sa i takon objektivave mbi parametrat e buxhetit, planifikohet që ai të arrijë në afro 8.8 miliardë euro për çdo vit, deri në 2028-ën nga 8.2 miliardë euro që është buxheti i këtij viti./Shqiptarja.com