Secondary Adv

BE regjistroi mbi 120,000 largime emigrantësh në vitin 2024

Sipas një raporti të ri, numri i refuzimeve në Europë është rritur dukshëm vitet e fundit deri në pikën e shndërrimit në një praktikë sistematike.

Kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian regjistruan më shumë se 120,000 raste largimi jashtë kufirit të emigrantëve të parregullt nga autoritetet kombëtare në vitin 2024, sipas një raporti të ri nga një grup prej nëntë organizatash të të drejtave të njeriut.

 

Raporti nxjerr në pah përhapjen e praktikës së paligjshme të dëbimit të emigrantëve, për të parandaluar aksesin në procedurën e marrjes së azilit, një e drejtë e sanksionuar si në ligjin e BE-së ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

 

Duke mbledhur të dhëna nga shërbimet qeveritare, OJQ-të dhe grupet kërkimore, koalicioni arriti në përfundimin se vitin e kaluar kishin ndodhur “të paktën” 120,457 raste, që do të thotë se emigrantët u larguan nga territori kombëtar pa qenë në gjendje të paraqisnin aplikimin e tyre për mbrojtje ndërkombëtare dhe pa pasur një vlerësim individual.

 

Largimi shpesh bëhej me dhunë, thekson raporti, ku azilkërkuesit rriheshin nga rojet kufitare, braktiseshin në det ose liheshin në mëshirë të fatit nëpër pyje.

 

Numri i përgjithshëm prej 120,457 i referohet largimeve nga vendet e BE-së ndaj vendeve jo anëtare të BE-së, duke përjashtuar incidentet ndërmjet shteteve anëtare.

 

Bullgaria kryeson renditjen e vitit 2024, me 52,534 largime ndaj emigrantëve nga Turqia. Frontex, agjencia kufitare e BE-së, thuhet se “mbahet larg” nga zonat ku supozohet se ndodhin shkelje.

 

Bullgaria pasohet nga Greqia (14.482), Polonia (13.600), Hungaria (5.713), Letonia (5.388), Kroacia (1.905) dhe Lituania (1.002).

 

Studimi mbuloi gjithashtu Libinë (21.762) dhe Libanin (3.768), sepse këta vende pranuan kthimet e emigrantëve me mbështetje “të drejtpërdrejtë dhe të gjerë” nga Italia, Qiproja dhe institucionet e BE-së.

 

Në maj 2024, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen udhëtoi në Bejrut për të njoftuar 1 miliard euro ndihmë për Libanin, për të menaxhuar flukset e emigracionit të parregullt dhe për të mbështetur ekonominë e vendit të goditur nga kriza.

 

Dëbimet jashtë kufirit të BE-së kanë qenë prej kohësh një temë e përsëritur e mosmarrëveshjes në bllok, veçanërisht pas krizës së emigracionit 2015-2016, dhe kanë nxitur kritika të vazhdueshme kundër rojeve kufitare, duke nxitur hetime të brendshme, zbulime mediatike dhe padi.

 

Një gjuhë e ngjashme u përdor nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila muajin e kaluar e shpalli Grqinë fajtore për kryerjen e largimeve “sistematike” kundër azilkërkuesve.

 

Javën e kaluar, gjykata me bazë në Strasburg filloi të dëgjojë tre çështje kundër Polonisë, Letonisë dhe Lituanisë mbi akuzat për kthime në Bjellorusi, duke shënuar herën e parë, që kjo gjykatë shqyrton një çështje në lidhje me instrumentalizimin e emigracionit.

 

BE-ja ka akuzuar presidentin bjellorus, Aleksander Lukashenko për tërheqjen e qëllimshme të emigrantëve nga vendet e largëta në Minsk dhe duke i udhëhequr ata drejt Europës Lindore, në një përpjekje për të mbjellë kaos dhe polarizuar shoqëritë. Në përgjigje të skemave të Lukashenkos, Polonia ka përgatitur legjislacion të ri për të pezulluar përkohësisht të drejtën e azilit.

 

Pasi kritikoi fillimisht planin polak, Komisioni Europian përfundimisht u tërhoq dhe publikoi udhëzime për të mundësuar pezullimin e të drejtave themelore në “situata të jashtëzakonshme”, siç është instrumentalizimi nga aktorë të huaj. Përjashtimi do të zbatohet gjithashtu për Finlandën, e cila ka miratuar legjislacionin e urgjencës, që legalizon largimet.

 

OJQ-të kanë ngritur alarmin për “sigurimin” progresiv të emigracionit, duke paralajmëruar se emigrantët kanë të drejtë të aksesojnë procedurën e azilit, nëse ata udhëtojnë drejt Europës me vullnetin e tyre ose si pengje në një lojë gjeopolitike.

 

Ministria thotë se emigrantët e instrumentalizuar nga Bjellorusia janë gjithnjë e më shumë të pajisur me mjete të rrezikshme dhe janë bërë agresivë. Vitin e kaluar, një ushtar polak u godit me thikë nga një emigrant në kufirin me Bjellorusinë dhe ndërroi jetë.

 

/Monitor (https://monitor.al/be-regjistroi-mbi-120000-largime-emigrantesh-ne-vitin-2024/)


Më të lexuarat