Secondary Adv

Kosova ka 182 mijë banesa të pabanuara

Kosova ka saktësisht 182,849 banesa të pabanuara, sipas të dhënave më të fundit të regjistrimit të popullsisë 2024, publikuar nga Agjencia e Statistikave.

Bazuar në këto të dhëna, komuna e Prishtinës e ka numrin më të madh të banesave të pabanuara, gjithsej 25 mijë e 195 sosh, e pasuar nga ajo e Prizreni me 16 mijë e 842 dhe Ferizaj, me 15 mijë e 228.

 

Krahasuar me regjistrimin e fundit të popullsisë më 2011, shifra e banesave të pabanuara është rritur për 83 mijë e 041.

 

Sipas ASK-së, të dhënat e fundit ofrojnë pasqyrë të detajuar mbi ndryshimet demografike në Kosovë.

 

“Këto të dhëna ofrojnë një pasqyrë të detajuar mbi popullsinë, grupmoshat, gjininë dhe ekonomitë familjare, duke ndihmuar në analizimin e ndryshimeve demografike ndër vite. 

 

Këto të dhëna ofrojnë karakteristika për vendbanimet, statusin e aftësisë së kufizuar, ndërtesat, banesat e ekonomitë familjare si dhe edukimin”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

 

Krahas atyre për banesa, të dhënat e reja të ASK-së tregojnë edhe për numrin e ndërtesave të reja që kanë së paku një banesë të banueshme.

 

Sipas statistikave, të këtilla në nivel vendi janë 274 mijë e 116. Edhe kjo shifër, krahasuar me regjistrimin e popullsisë të 2011-s është rritur për 26 mijë e 167 njësi.

 

Rritje krahasuar me 13 vjet më parë ka edhe në numrin e përgjithshëm të banesave. Derisa më 2011 kanë qenë 312 mijë e 711, në të dhënat e regjistrimit të vitit të shkuar figurojnë 556 mijë e 779 sosh.

 

Agjencia e Statistikave, në dhjetor të vitit të shkuar ka publikuar rezultatet e para përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë. Bazuar në këto rezultate, Kosova ka 1,602,515 banorë rezidentë.

 

Kjo shifër, krahasuar me regjistrimin e 2011-s, është për rreth 150 mijë banorë më e ulët./Monitor (https://monitor.al/kosova-ka-182-mije-banesa-te-pabanuara/)


Më të lexuarat