SHBA dhe Rusia përfundojnë raundin e parë të bisedimeve për Ukrainën
Diskutimet ishin negociatat e para të nivelit të lartë mbi konfliktin, që nga muajt e parë të pushtimit të Vladimir Putin.
Delegacionet nga Rusia dhe SHBA kanë përfunduar bisedimet që zgjatën katër orë e gjysmë në Riadh, për rivendosjen e lidhjeve dypalëshe dhe përfundimin e luftës në Ukrainë.
Yuri Ushakov, këshilltari për politikën e jashtme të presidentit rus, u tha gazetarëve se delegacionet zhvilluan “një bisedë shumë serioze për të gjitha çështjet”, sipas agjencisë së lajmeve Tass.
Ai tha se bisedimet e së martës në Riadh nuk ishin “të këqija” dhe Rusia dhe SHBA “kishin rënë dakord të merrnin parasysh interesat e njëra-tjetrës”, por ishte “e vështirë të thuhet nëse po arrinin të përafroheshin”.
Sekretari i shtetit Marco Rubio, këshilltari i sigurisë kombëtare Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm Steve Witkoff kryesuan delegacionin e SHBA.
Në një situatë thuajse të pamendueshëm deri disa javë më parë, flamujt rusë dhe amerikanë u valëvitën pranë njëri-tjetrit.
Takimi diplomatik ishte i pari i këtij lloji midis SHBA-së dhe Rusisë, që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska në vitin 2022.
Ndërkohë, Ukrainës nuk i është dhënë një vend në bisedimet e sotme në Arabinë Saudite.
Presidenti Volodymyr Zelensky ndodhet në kryeqytetin turk, Ankara. Kjo është vizita e tij e tretë në vend, që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia gati tre vjet më parë.
‘Jo keq’, ‘konstruktiv’, pala ruse jep verdikte mbi bisedimet
Me përfundimin e bisedimeve në Riadh, disa nga delegatët rusë atje kanë komentuar për mbarëvajtjen.
Kreu i fondit të pasurisë sovrane të Rusisë, Kirill Dmitriev, tha për televizionin shtetëror rus Channel One: “Një dialog shumë pozitiv, konstruktiv ka filluar.
“Ndryshe nga administrata e Biden, e cila kurrë nuk u përpoq të dëgjonte pozicionin e Rusisë, kjo ishte një përpjekje shumë e qartë për të filluar dialogun, për të kuptuar pozicionin e Rusisë dhe për të diskutuar gjërat për të cilat biem dakord”.
Ai shton: “Ka shumë pika për të cilat biem dakord… ne u njohëm shumë më mirë… e kuptojmë njëri-tjetrin shumë më mirë tani.”
Asistenti i Vladimit Putin, Yuri Ushakov, tha për bisedimet: “Jo keq, jo keq… është e vështirë të thuhet nëse Rusia dhe SHBA po afrohen më shumë, por kjo është ajo që diskutuam… ishte një diskutim shumë serioz i të gjitha çështjeve që donim të preknim… ne kemi rënë dakord të marrim parasysh interesat e njëri-tjetrit dhe të zhvillojmë marrëdhënie dypalëshe, pasi Moska dhe Uashingtoni janë të interesuar për këtë.”
Ai tha se ata ranë dakord, që një “ekip i veçantë negociatorësh do të vendosë kontakte kur të vijë koha e duhur”.