Secondary Adv

Lehtesi per biznesin ne Shqiperi, ne 2015 nis aplikimi online per leje ndertimi

 

 

Eshtë publikuar në Fletoren Zyrtare planit i veprimit për përmirësimin dhe monitorimin e indikatorëve “Të bësh biznes”,  një publikim i Bankës Botërore, që shërben si referencë krahasuese për të gjitha vendet e botës. Ky plan shënon një sërë hapash për përmirësimin e barrierave të biznesit, lejet e ndërtimit, regjistrimin e pronësisë, energjinë, zbatimin e kontratave, tregtinë përmes kufijve, pagsën e taksave dhe zgjidhjen e apaftësisë paguese.

 

Efektet e këtyre ndryshimeve pritet të ndihen në raportet Të bësh biznes 2016 dhe 2017. Për vitin 2014, Shqipëria u pozicionua në vendin e 90 në këtë raport, ndër renditjet më të ulëta në rajon dhe me një rënie prej pesë vendesh në raport me një vit më parë.

 

Barrierat e biznesit

Për lehtësimin e barrierave të biznesit për regjistrimin e subjekteve  do të amendohet Amendimi i ligjit nr. 9723 datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Drafti i ligjit është në proces konsultimi me ministritë. Rezultati i pritshëm është shkurtimi i procedurave me hapa dhe reduktimi i kostos me 85,120 lekë.

Për lehtësimin e barrierave të biznesit pritet të amendohet dhe ligji “Për nxitjen e punësimit”. Amendimi i neneve që detyrojnë subjektet të regjistrohen pranë ISHPSHSH dhe zyrave të punës, në varësi të marrëveshjeve që do të lidhen me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për shpërndarjen e informacionit mbi fuqinë punëtore në formë elektronike.

 

Ndryshimet në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, parashikojnë që deklarata e paraqitur në administratën tatimore lidhur me punonjësit e rinj të marrë në punë dhe lidhur me punonjësit e larguar nga puna, do të shërbejë si deklarim edhe për Inspektoratin Shtetëror të Punës. Afati i ndryshimeve është parashikuar shkurti 2015.

Në prill 2015 pritet Zbatimi i ligjit për firmën elektronike, i cili do të mundësojë fillimin e biznesit vetëm në 1 hap, për 1 ditë, me kosto 100 lekë.

 

Lejet e ndërtimit

Ligji i ri për planifikimin territorit është miratuar tashmë. Parashikohet që procesi i aplikimit dhe botimi i dokumentacionit të aplikimit të kryhet përmes Regjistrit të Planifikimit të Territorit. Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit në momentin që konstaton që ka mangësi në publikimin e deklarimeve mbi planet dhe zhvillimet në territor njofton menjëherë me shkresë zyrtare autoritetet përkatëse të planifikimit dhe vë në dijeni menjëherë autoritetet e inspektimit.

Nga janari 2015, parashikohet botimi i planeve kombëtare dhe vendore në portalin e AKPT-së, që synon rritjen e transparencës për qytetarët dhe zhvilluesit e territorit.

Autoritetet vendore të planifikimit kanë detyrimin ligjor për botim në regjistër të instrumenteve të planifikimit. Krahas kësaj, AKPT do të botojë në portalin e saj të gjitha planet e miratuara për akses më të gjerë nga publiku.

Parashikohen dhe ndryshime të tjera që synojnë rritjen e transparencë, aplikime on line për lejet e ndërtimit, etj.

 

Energjia

Në tremujorin  katërt 2014 parashikohet Pranim i propozimit për lidhjen e re në rrjetin e CEZ shpërndarje, Liberalizim dhe ndryshim tarifash.  Masat e parashikuara në këtë indikator përfshihen në parashikimet e projektligjit “Për energjinë elektrike” iniciuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.

Parashikohen dhe thjeshtime procedurash për kontratat dhe marrëveshjet me familjarët dhe jo familjarët.

 

Zbatimi kontratave

Ndër të tjera parashikohen ndryshime në Kodin e Procedurës Civile, për shkurtimin e procedurave gjyqësore, që do merren në tremujorin e tretë 2014. Në fazën e hartimit mund të shqyrtohet mundësia e përfshirjes së çështjes së përshpejtimin të zbatimit të vendimeve gjyqësore.

 

Zgjidhja e paftësisë paguese

Pritet të miratohet brenda këtij viti projektligji i ri “Për falimentimin” dhe aktet e tjera në zbatim te tij. Ai parashikon Shkurtimin e kohëzgjatjes së procedurave nëpërmjet afateve të reja ligjore -Rritje e shumës së detyrimit që do të përfitojnë kreditorët -Kosto me të ulta për shpenzimet e procedurës./Monitor


Më të lexuarat