Projekti i shëndetësisë me BB, disbursimet arritën 35.5 mln USD
BB e klasifikoi ecurinë e projektit të shëndetësisë, që mbështetet prej saj, si “të kënaqshëm në mënyrë të moderuar” në rishikimin e fundit publikuar këto ditë.
Bëhet fjalë për projektin “Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor, që aktualisht ka dy linja kredie me një total prej 69.5 milionë dollarësh nga të cilat janë disbursuar 35.5 milionë USD.
Banka llogarit se disa tregues janë arritur dhe tejkaluar, teksa ka ende disa të tjerë për të cilët duhet të punohet dhe të mbyllen brenda afatit të rishikuar të projektit, që është 30 qershori 2025.
Nëse aktivitetet nuk do të mbyllen në kohë, qeveria pritet që të financojë e vetme pjesën shtesë përtej këtij afati.
“Progresi drejt arritjet së Objektivave të Zhvillimit të Projektit (PDO) vlerësohet si i kënaqshëm në mënyrë të moderuar. Dy nga katër treguesit e PDO kanë arritur apo kaluar vlerat e caktuara si objektiv fundor:
(a) Numri i spitaleve rajonalë dhe spitaleve të rikonstruktuar pas tërmetit të 2019-ës që kapin kërkesat minimale të agjencisë së akreditimit është tejkaluar. Objektivi ishte 7 ndërsa aktualisht janë 38.
b) Numri total i spitaleve në zonat e përzgjedhura që kanë nisur zbatimin e rekomandimeve të Masterplanit të Spitaleve është arritur. Objektivi ishte 5 gjendja aktuale 5.
Zbatimi i aktiviteteve të mbetura nën financimin shtesë po vijon sipas planit. Kjo përfshin nisjen (furnizim dhe instalimin) e sistemeve të informacionit rutinor të shëndetit në shtatë spitale rajonale të tjerë, rehabilitimin e spitalit të Kardio-Kirurgjisë dhe rehabilitimin e spitalit Psikiatrik.
Aktivitete të tjera të projektit që nuk mund të kompletohen sipas datës së rishikuar të mbylljes së projektit që është 30 qershori 2025 do të merren përsipër nga qeveria dhe do të financohen me burimet e saj.
Një marrëveshje e nivelit të lartë (përfshirë menaxhimin e bankës dhe të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) është vendosur tashmë për të monitoruar dhe siguruar një kompletim të suksesshëm të të gjithë aktiviteteve që kanë mbetur” tha Banka në raportin e saj.
Projekti për përmirësimin e sistemit shëndetësor, u miratua si fillim me një linjë kredie 40 milionë USD në vitin 2015, e cila u mbyll në dhjetorin e shkuar me disbursimet që arritën 84.22 për qind.
Ndërkohë më vonë banka miratoi një tjetër financim që u bë efektive në korrik të vitit 2022 me një vlerë 29.5 milionë USD. Disbursimet për këtë kredi ishin vetëm 16.1 për qind në raportin e shkurtit të këtij viti teksa duhen pak më shumë se katër muaj deri në mbylljen e plotë të saj./Monitor(https://monitor.al/projekti-i-shendetesise-me-bb-disbursimet-arriten-35-5-milione-usd/)