Tuneli i Murrizit hapet më 14 mars, Balluku inspekton punimet
Pas gjashtë vitesh punime tuneli i Murrizit do të hapet për qarkullim më 14 mars 2025.
Tuneli është i gjatë 3.7 kilometra dhe do të shkurtojë distancën mes Dibrës dhe Tiranës në vetëm 2 orë.
Tuneli i Murrizit ka nisur të hapet në maj të 2019-ës por ka pasur ecuri të avashtë për shkak të gjeologjisë së vështirë, dhe rrëshqitjes së dherave.
48 kilometrat e Rrugës së Arbrit u dorëzuan në 29 nëntor 2021, ndërsa kalimi në qafë të Murrizit ku u hap tuneli, ende vijon përmes një bypassi me gjatësi 8.8 kilometra.
Punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit prej 69 kilometrash, e përbërë nga 6 tunele dhe 4 ura, nisën në vitin 2019, ndërsa kostoja totale e koncesionit 13 vjeçar përllogaritet në 40.3 miliardë lekë.
“Nga tuneli i Murrizit. Me të gjithë konglomeratin e shkruar. Këtu jemi në metrat e fundit, ku bëhen lidhjet elektromekanike, ku bëhen lidhjet përsa i përket ndriçimit dhe pjesëve të tjera. Jemi në të dalë të tunelit në drejtim të Dibrës. Një punë e jashtëzakonshme ka përfunduar, por në 14 mars do të kemi të gjithë mundësinë që të festojmë së bashku. Do të hapim edhe rrugën e Arbrit, që do të shënojë rritje ekonomike për gjithë Veriun”, tha mes të tjerash Balluku. /Shqiptarja